Hidhet poshtë kërkesa e Prokurorisë për paraburgosjen e Akil Gjakovës

Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë të premten një kërkesë të prokurorëve për ta dërguar në paraburgim atletin Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje.

Në një njoftim për media, Gjykata e Pejës tha, megjithatë, se ia ka ndaluar xhudistit të mirënjohur t’i afrohet më shumë se 50 metra viktimës, që dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, në 30 ditët e ardhshme.

“Të pandehurit…i është ndaluar t’i afrohet vendit ku e dëmtuara banon, si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra”, thuhet në njoftim.

Gjykata tha se Gjakova rrezikon paraburgimin, nëse e shkel masën të cilën ia ka caktuar.

Gjakova, 28 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë.

Në një reagim më 16 prill, Federata e Xhudos e Kosovës kishte thënë se Gjakova ndodhej jashtë vendit dhe se ai “do të dorëzohej menjëherë” te organet e rendit dhe të drejtësisë sapo të kthehej në Kosovë.

Shpallja e tij në kërkim nga Policia e Kosovës u bë në një kohë kur Kosova u trondit nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve.

Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre.

Go to TOP