Beqiri kërkon reflektim në LDK: Koha për përgjegjësi, ndryshim dhe zgjedhje të reja në të gjitha nivelet

Ish-sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda partisë duke vlerësuar se pas tri humbjeve radhazi në zgjedhje, LDK duhet të marrë përgjegjësi dhe të nisë procesin e ndryshimeve.

Përmes një reagimi publik, Beqiri tha se partia duhet të merret me arsyet pse nuk po arrin të bëhet konkurruese për vendin e parë duke theksuar se humbja nuk është turp, por është e papranueshme të mos pranohet ajo dhe të mos ketë reflektim.

Ai kritikoi, siç u shpreh, “farsat, fjalët boshe dhe dekorimet për humbjet” duke kërkuar guxim për të pranuar rezultatin zgjedhor dhe për të ndërmarrë hapa konkretë.

Sipas Beqirit, në LDK është krijuar një standard që, pas humbjes së zgjedhjeve, kryetari duhet të japë dorëheqje si përgjegjësi kryesor, ndërsa shtoi se partia duhet të shkojë në zgjedhje të reja në të gjitha nivelet.

“LDK nuk është pronë private. Është e qytetarëve të Kosovës, e anëtarëve të saj dhe një aset kombëtar”, ka deklaruar ai.

Beqiri theksoi se flet nga përvoja e mbi 36 viteve në LDK duke kujtuar se ka shërbyer si kryetar i Komunës së Prishtinës dhe deputet për gjashtë mandate. Ai rikujtoi gjithashtu se në vitin 2023 kishte vendosur të mos kandidonte më për kryetar të Degës së Parë në Prishtinë, si shembull i përgjegjësisë politike.

Në fund të reagimit, ai nënvizoi se LDK-ja është më e rëndësishme se çdo post individual duke përfunduar me mesazhin: “LDK mbi të gjitha.” /Kosova.info/


Go to TOP