Haziri: Bashkë e me dashni, do t’ia rikthejmë namin Gjilanit
Në cilësinë e kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri ka prezantuar draftin final të analizës dhe raportit zgjedhor për procesin e 9 shkurtit, gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Degës.
Haziri theksoi se, pavarësisht trendit pozitiv dhe konfirmimit për deputet në Kuvendin e Republikës, LDK në Gjilan tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ai konfirmoi se ka pranuar komentet, ka miratuar analizën dhe raportin e detajuar të zgjedhjeve të fundit, ndërsa është hapur edhe procesi për përgatitjet fillestare për zgjedhjet komunale.
“Në bashkëpunim me Kryesinë e Degës, do të hartojmë listën më përfaqësuese ndonjëherë, për të garantuar rikthimin e LDK-së në rolin e liderit komunal. Kandidati për Kryetar të Komunës do të jetë konsensual dhe i pranuar gjerësisht”, tha Haziri.
Ai bëri të ditur se, përderisa është kryetar i Degës, mbetet kandidati i vetëm për Kryetar të Komunës së Gjilanit, dhe ky proces tashmë është zyrtarisht i hapur.
Duke theksuar unitetin politik dhe funksional brenda Degës së LDK-së në Gjilan, Haziri deklaroi se synimi i përbashkët është rikthimi i madh i LDK-së në ekzekutivin komunal.
“Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit”, përfundoi Haziri. /Kosova.info/
