Haziri: Anamorava është braktisur nga qeveria, por jo nga LDK
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dega Gjilan, Lutfi Haziri, ka deklaruar sot në Gjilan se qyteti dhe e gjithë Anamorava janë lënë pas dore nga Qeveria Kurti, por jo nga LDK-ja. Ai mori pjesë në takimin me strukturat e partisë në Gjilan, ku u finalizuan përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Haziri theksoi se mobilizimi politik i LDK-së po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, me “shpresë dhe besim të madh” se roli historik i partisë në ruajtjen e lirisë dhe demokracisë do të vlerësohet sërish nga elektorati.
Ai vlerësoi lart kandidatë e LDK-së në Gjilan duke i cilësuar si “autoritete politike e profesionale, të ndershëm, me integritet të lartë moral dhe dinjitet njerëzor”.
“Bashkë do të vazhdojmë të jemi gardianë të demokracisë, zhvillimit dhe rikthimit të madh të LDK-së,” tha Haziri duke shtuar se besimi i qytetarëve do t’u kthehet me punë të mirë dhe përkushtim për të mirën e Gjilanit.
Ai e mbylli fjalën me mesazhin e përsëritur: “Gjilani e Anamorava janë braktisur nga qeveria, por jo nga LDK!”. /Kosova.info/
