Haxhiu: Zgjedhjet u dhunuan – manipulimi i votave është krim i rëndë kundër demokracisë
Deputeti i LDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të fundit në Kosovë duke e cilësuar atë si të manipuluar dhe të cenuar rëndë në integritetin e tij.
Haxhiu ka deklaruar se “nuk ka demokraci me metoda staliniste” duke kujtuar thënien e njohur të Josif Stalinit se “nuk ka rëndësi kush voton, por kush i numëron votat”, e cila sipas tij është bërë realitet në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Sipas deputetit të LDK-së, ndërhyrja në numërimin e votave përbën krim të rëndë kundër demokracisë dhe çdo person që ka manipuluar vullnetin e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore.
Ai theksoi se përgjegjësia nis nga niveli më i lartë institucional duke përmendur Presidenten e vendit për caktimin e zgjedhjeve në ditë festash, çka sipas tij ka kufizuar monitorimin vendor dhe ndërkombëtar dhe i ka shërbyer interesave politike të kryeministrit Kurti. Haxhiu akuzoi gjithashtu Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pranimin dhe numërimin e votave jashtë afatit ligjor, si dhe numëruesit që, sipas tij, kanë devijuar drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve.
“Nuk duhet të ketë asnjë institucion dhe asnjë individ mbi ligjin. Deputetët e zgjedhur me vota të manipuluara nuk kanë legjitimitet”, ka theksuar Haxhiu duke shtuar se vota e lirë është e shenjtë dhe se demokracia nuk negociohet.
Ai ka deklaruar se procesi zgjedhor është dhunuar, votat janë manipuluar dhe vjedhur nga numëruesit, ndërsa votat me postë janë pranuar nga KQZ në kundërshtim të hapur me Ligjin e Zgjedhjeve.
Sipas Haxhiut, rinumërimi total mund të korrigjojë vetëm pjesërisht dëmin, pasi përderisa në rezultat përfshihen vota të pranuara jashtë afatit ligjor, integriteti i zgjedhjeve mbetet i cenuar dhe rezultati i komprometuar. /Kosova.info/
