Haxhiu për gjyqtarët: Po më duken si avokatë

Organizatat BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë publikuar raportin “Imuniteti i Korrupsionit”, ku janë analizuar 40 raste të aktgjykimeve dënuese të korrupsionit gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Lidhur me gjetjet e raportit “Imuniteti i Korrupsionit”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se këto gjetje janë treguesi më i mirë i sistemit të drejtësisë.

Ministrja tha se kishte shpresuar që situata do të ndryshonte pas hyrjes në fuqi të udhëzuesve të lëshuar nga Gjykata Supreme.

“Edhe para 1 viti ka pasur një organizim të tillë, ku realisht kemi trajtuar problemin e njëjtë”, tha ministrja Haxhiu.

Ajo tha se është për keqardhje mosrespektimi i udhëzuesve të lëshuar nga instanca më e lartë e sistemit juridik.

“Për mua është për keqardhje puna e mirë e Gjykatës Supreme në hartimin dhe miratimin e Udhëzuesit të Përgjithshëm për Politikën Ndëshkimore, e të cilat nuk kanë gjetur zbatim dhe nuk janë marrë parasysh nga radhët e gjyqtarëve kur kanë nxjerrë aktgjykime të tilla”, shtoi Haxhiu.

Për shqiptimin e dënimeve të ulëta si dhe gjetjen nga ana e gjyqtarëve më shumë të rrethanave lehtësuese sesa rënduese ministrja tha se gjyqtarët po i duken si avokatë.

“Nganjëherë e kam përshtypjen që kur po i lexojmë këto aktgjykime, po duket që gjyqtari po e luan rolin e avokatit”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, ky raport dhe këto raste duhet të jenë edhe nën ‘llupën’ e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për çështjen e performancës dhe profesionalizmit të gjyqtarëve.

“Besoj që tani por edhe ka pasur një lloj pingpongu të gjuajtjes së përgjegjësive në mes prokurorive dhe gjykatave”, tha Haxhiu.

Sipas saj, prokuroria duhet t’i përpilojë aktakuzat në mënyrë më cilësore, e jo ‘të dobëta’ që ato pastaj të dështojnë në gjykatë.

Ajo shtoi se edhe aktgjykimet të cilat nxirren nga gjykatat duhet të përfshijnë rrethanat rënduese dhe lehtësuese dhe të jenë në përputhje me Kodin Penal të Kosovës.

Të pranishëm në konferencën e publikimit të raportit ishin edhe U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Go to TOP