Haxhiu: Letra e Kurtit nuk ishte tendencioze, LDK kishte qëndrim refuzues
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklarimet e zyrtarëve të LDK-së se letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka qenë joserioze dhe se nuk ka pasur tendencë për t’i afruar qëndrimet, ajo në RTK Prime tha se LDK-ja ka pasur përgjigje refuzuese.
“Edhe para se të mbahej seanca konstituive, kryeministri Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim, por është refuzuar. Ka pasur përgjigje refuzuese. Edhe letrën e dytë të kryeministrit Kurti unë nuk e kam parë qëllimkeqe ose tendencioze. Unë e kam përmendur një ditë se këta kanë qenë të gatshëm me hy në koalicion me ata të cilët i kanë akuzuar për vrasjen e aktivistëve të tyre politikë, por jo me ne për shkak të gjuhës”, tha Haxhiu.
E pyetur se pse janë në gjendje të bashkëpunojnë me partinë NISMA edhe përkundër se e kanë quajtur të korruptuar, Haxhiu tha se askush mos të mendoj që duke bashkëpunuar me Vetëvendosjen do të amnistohet nga të bëmat.
“Mbi 250 dosje si qeveri i kemi dërguar në prokurori. Ato dosje kanë qenë për qeveritë e kaluara. Kushdo që është përfshirë në afera korruptive duhet të përgjigjet. Standardi që ka arritur qeveria jonë me etablua është se Kosova mundet me pas qeveri që nuk korruptohet”, tha ajo
Haxhiu tha se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi nuk e ka keqpërdorur detyrën dhe nuk është pasuruar jashtëligjshëm. “ KEK-u ka pasur fitimet më të mëdha në kohen e zotit Krasniqi”, tha Haxhiu. Ajo shtoi se përpjekjet për ta lidhur Vetëvendosjen me mafinë energjetike janë trillime të opozitës.
Haxhiu foli edhe për rastin e rezervave shtetërore. “Kush mund të më thotë mua se Rozeta Hajdari është e korruptuar. Rozeta Hajdari është ministre me integritetin më të lartë moral. Atyre ju ka mjaftuar me ju hy në deklarimet e pasurisë dhe me e pa se qysh janë pasurua”, tha Haxhiu.
