Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me NISMA-n, presim takimet

Albulena Haxhiu nga LVV, ka thënë se kanë vullnet për bashkëpunim me NISMA-n dhe se presin çfarë epilogu të ketë takimi mes dy krerëve politik, Albin Kurti e Fatmir Limaj.

“Sa i përket takimeve me NISMA-n, ne kemi thënë që kemi vullnet për bashkëpunim. Do të ndodh takimi i Kurtit me Limajn dhe pas përmbylljes së takimeve do të ketë njoftim për opinionin publik. Qëndrimi i VV është i qartë, kemi theksuar që na takon propozimi i kryekuvendarit. Kemi dëgjuar edhe deklaratat nga subjekti i NISMA-s, por megjithatë duhet të presim për takimin”, ka thënë ajo pas 48 dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Së pari unë nuk e kam karrigen e kryekuvendarit. Jam e propozuar nga LVV që të jem kryetare e Kuvendit, kjo nuk ka ndodhur për faktin që duhen 61 vota. Situata është e tillë që kemi deputetët e opozitës, vijnë në seancë dhe nuk marrin pjesë fare në votim. Pavarësisht që kemi 2 aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese se deputetët duhet të jenë të pranishëm, të votojnë për, kundër apo abstenim”, ka shtuar Haxhiu.

Sot në seancën e 48-të, nga 100 deputetët që ishin në sallë, 51 votuan për, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Haxhiu e pyetur nga gazetarët për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mospjesëmarrjen e sotme në seancë, por në një simpozium në Greqi. Ajo theksoi se “Kurti, kryeministri në detyrë, ka qenë i pranishëm në secilën seancë, ndoshta është kjo e dyta që mungoi”. Haxhiu, ndër të tjera, tregoi se kryeministri Kurti do të jetë në seancën e ardhshme.

“Kurti do të jetë në seancën e ardhshme. Sigurisht edhe pjesëmarrja e tij atje është e rëndësishme për Kosovën, sidomos kur po merr pjesë në një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën. Nuk kemi pasur asnjë sinjal që opozita do të ndryshojë qëndrim, sepse mban në vazhdimësi qëndrim të njëjtë”, ka theksuar Haxhiu.

Go to TOP