Haxhi Robin Krasniqi: Nuk i përkas asnjë partie, por sot e mbështes Përparim Ramën për burrërinë e tij

Boksieri i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Haxhi Robin Krasniqi, ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke theksuar se kjo mbështetje vjen nga një obligim moral dhe jo politik.

“Nuk i përkas asnjë partie – jam i Kosovës, jam i të gjithëve. Madje jam i mendimit se asnjë parti politike nuk bën sa duhet për vendin tonë, i cili ka nevojë për punë të dinjitetshme dhe përkushtim maksimal”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka treguar se për herë të parë vendosi të flasë për një përvojë të vështirë që kishte gjatë përpjekjeve për të organizuar një ndeshje boksi në Kosovë. Sipas tij, megjithëse iu premtua mbështetje nga shumë institucione, në momentet vendimtare të gjithë u tërhoqën – përfshirë edhe Ministrinë e Sportit.

“Në ato ditë të vështira, plot obligime e përgjegjësi, i vetmi njeri zyrtar që nuk më la vetëm dhe që qëndroi përkrah meje për të mirën e sportit, të Prishtinës dhe të Kosovës, ishte Kryetari Përparim Rama”, theksoi ai.

Krasniqi shtoi se përmes këtij gjesti e kuptoi se Përparim Rama është një njeri që e do me të vërtetë kryeqytetin dhe punon për të mirën e qytetarëve të tij.

“Unë atëherë e vërtetova se vetëm ai e donte kryeqytetin dhe askush tjetër, andaj nga zemra i uroj suksese dhe i dëshiroj vetëm të mirat. Faleminderit, i nderuari Përparim Rama”, përfundoi boksieri. /Kosova.info/


Go to TOP