Hasani: Rikonfirmim i angazhimit në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, po merr pjesë në samitin që po mbahet për 75 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Uashington.

Ministri Hasani bëri të ditur se në këtë takim u rikonfirmua angazhimi për sigurinë kolektive dhe unitetin transatlantik në ruajtjen e paqes në të gjithë Aleancën.

“Së bashku, për të rikonfirmuar angazhimin tonë për sigurinë kolektive dhe unitetin transatlantik, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Aleancën”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.

Në kuadër të 75-vjetorit të NATO-s në Uashington po mbahet edhe samiti treditor i NATO-s, nga 9-11 korrik. Ky samit synon të projektojë forcën dhe të mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.

E themeluar në Uashington në vitin 1949 nga SHBA dhe 11 vende të tjera në fillimin e Luftës së Ftohtë për të penguar zgjerimin e Bashkimit Sovjetik komunist, NATO është rritur në 32 anëtarë me hyrjen e fundit të Suedisë dhe Finlandës.

Go to TOP