Haradinaj reagon për 100 eurot e Kurtit: Të rritet paga minimale në 370 euro
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar rritjen e pagës minimale në 370 euro dhe votimin e Ligjit të Pagave, teksa ka kritikuar ndarjen e 100 eurove për kategori të ndryshme shoqërore.
Haradinaj këto deklarime i ka bërë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, teksa ka kërkuar edhe zbritjen e TVSH-së nëpër artikuj ushqimor.
“Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme e përhershme dhe qeveria e vendit duhet t’i rrisë pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë Ligjin e Pagave me rritje prej 33% të pagave dhe të gjitha skemave pensionale”, ka thënë Haradinaj.
“Qeveria duhet, pra, të veprojë pa vonesë ta zbres TVSH-në për artikull ushqimor. T’i mbrojë qytetarët e pambrojtur. Duhet ta kalojë ligjin për tërheqjen e mjeteve të Trustit. Menjëherë, duhet t’ua kthejë paret qytetarëve për faturat e fryra të energjisë. Ne kemi likuiditet në Kosovë edhe 700 milionë. Qeveria e Kosovës po vepron në sistemin lëmoshë. Kërkesë e jona është rritja e pagave dhe Ligji i Pagave”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
