Haradinaj përkujton masakrat në Beleg, Irzniq e Poterq: Ende presim fatin e shumë viktimave
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrat e marsit në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës, ku forcat serbe vranë barbarisht dhjetëra civilë shqiptarë.
Haradinaj theksoi se muaji mars është muaji i lavdisë dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, ndërsa këto masakra janë dëshmi e sakrificës së shqiptarëve për çlirimin e Kosovës. Ai përkujtoi me dhimbje dhe krenari 46 të rënët në Beleg e Irzniq dhe 15 të rënët në Poterq, duke nënvizuar faktin tragjik se shumica prej viktimave ende nuk janë gjetur.
“Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët. Sot, pranë familjeve që mbajnë në zemër kujtimin për më të dashurit e tyre, përkujtuam këtë sakrificë sublime. Mungesa e një varri për shumë prej tyre e bën edhe më të rëndë këtë plagë,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se Serbia vazhdon të mohojë krimet gjenocidale, ndërsa Kosova kurrë nuk do t’i harrojë ata që me gjakun e tyre shkruan historinë e lirisë.
“Lavdi e përjetshme martirëve tanë! Liria është amaneti i tyre dhe përkushtimi ynë i përjetshëm,” përfundoi Haradinaj. /Kosova.info/
