Haradinaj, Kurtit: Energjetika – kjo plagë e pashërueshme e Kosovës, nuk shërohet me këshilla nga interneti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me anë të një shkrimi autorial ka reaguar lidhur me krizën energjetike në vend.

Haradinaj, duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës, shkruan se plaga energjetike e Kosovës nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të kryeministrit Albin Kurti.

“Nga gjithë këto e masa të tjera emergjente e afatgjate për përballjen e kolapsit të mundshëm energjetik, ai [Albin Kurti] e ministrat e tij kanë vendosur që të navigojnë në internet dhe të gjejnë modele të kursimit të energjisë, e t’ia kalojnë popullit për t’i lexuar. Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se ‘ky dimër do të jetë i rëndë’! Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të kryeministrit”, shkruan Haradinaj.

Shkrimi i plotë

Në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofale. Më e vështirë se sa që është aktualisht. Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më. Termocentralet e Kosovës nuk prodhonin rrymë e Kosova shpenzonte miliona euro duke mos prodhuar e duke e blerë rrymë.

Arsyetimi ishte se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë!!!

Në fakt që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi. Kishin mbirë si kërpudhat pas shiu, natyrisht kjo edhe sepse aty i kishin futur duart grupe të ndryshme interesi, që nga vet pushteti i atëhershëm e deri te tuxharët e energjisë.

Kosova nuk prodhonte rrymë e Banka Botërore kërcënonte se do të tërhiqej nga çdo lloj investimi në sektorin e energjisë.

Kjo ishte gjendja që unë e kisha trashëguar me ta marrë detyrën e Kryeministrit.

Go to TOP