Haradinaj: Kosova në NATO, është garanci që krime si në Krushë të mos përsëriten më asnjëherë

Kryetari i AAK-sw, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrat në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

Haradinaj ka thënë se armiku duke parë fundin e tij në Kosovë, kishte intensifikuar krimet dhe dëbimin e shqiptarëve.

“Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake serbe duke parë fundin që po i vinte, kishin intensifikuar edhe më shumë krimet dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe fëmijët”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se mbi 350 gra, pleq e fëmijë të pafajshëm u bënë cak i terrorit të regjimit fashist serb.

“Zemrat tona sot bashkohen me të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre në masakrat e kryera në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël. Mbi 350 gra, pleq e fëmijë të pafajshëm u bënë cak i terrorit të regjimit fashist serb. Gjithashtu kujtojmë sot 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, nga fëmijet e krahut e deri tek gjyshërit që brenda një ditë i ekzekutoi mizorisht regjimi serb”, është shprehur Haradinaj.

Sipas Haradinajt, të qenit në rresht me aleatët e sigurisë, garanton se krime të tilla të mos ndodhin më.

“Nuk do të ndalemi së kërkuari të dashurit tanë të pagjetur, varret e të cilëve janë ende të zbrazët. Nuk do ta ndalim kurrë betejën tonë, që fajtorët për këto krime, t’i përgjigjen drejtësisë. Gjithashtu, nuk do të ndalim angazhimin tonë për të qenë në rresht me aleatët tonë të sigurisë, të udhëhequr nga Amerika, garancë kjo se krime të tilla nuk do t’i ndodhin kurrë më popullit tonë”, ka përfunduar Haradinaj.

Go to TOP