Haradinaj e quan Bislimin “të retarduar”, ndërsa qeverinë “antiamerikane”

Ramush Haradinaj po e ndez alarmin. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po thotë se Kosova të enjten i ka marrë dy goditjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë.

E para është marrëveshja e arritur në Bruksel me Serbinë lidhur me reciprocitetin për targat që, sipas tij, e ka bërë hisedar Beogradin në punët e brendshme të Kosovës.

Kurse refuzimin e projektit të gazsjellësit të financuar nga Korporata amerikane e Sfidave të Mileniumit MCC, ish-kryeministri po e quan vendimin më antishqiptar e më antiamerikan. Haradinaj po alarmon se pasardhësi i tij në qeveri, Albin Kurti, po ia hap derën gazit rus.

E në këtë çështje ka akuza të rënda për zëvendësin e këtij të fundit,  Besnik Bislimin. Zëvendëskryeministrin e quajti të retarduar e me probleme mendore, pasi thotë se ky ditë më parë deklaroi se projekti i financuar nga presidenti Biden e sjell gazin rus në Kosovë.

Haradinaj i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani të reagojë ndaj refuzimit të gazpërçuesit. Kurse paralajmëroi edhe protesta, nëse projekti nuk kthehet.

Të enjten, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se qeveria nuk ka arritur ta pranojë projektin e gazit natyror brenda afateve strikte të MCC-së, pasi ka kërkuar detaje shtesë lidhur me dyshimet që ka pasur për planin 600 milionësh.

Go to TOP