Rizvanolli: Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për qytetarë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është hapur thirrja për aplikim për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët, në vlerë prej 6 milionë eurosh.

Ajo tha se këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro “vetëm gjatë dimrit që po vie”.

“Kam kënaqësinë të ju njoftojë se që nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve eficiente ekonomike për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen përmes kësaj thirrje përfshijnë kaldajat me biomasë, dru, pelet, briket që do të subvencionohen në masë deri në 70 për qind të vlerës së investimit ose deri në 1200 euro. Pompat termike të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70 për qind, do të subvencionohen në vlerë 30 për qind ose deri në 2500 euro. Kondicionerët eficientë, të cilat gjithashtu ulin shpenzimet e energjisë elektrike deri në 70 për qind, do të subvencionehen më 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro. Stufat individuale eficiente me biomasë, dru, të cilat për familjet që janë pjesë të skemës të asistencës sociale do të subvencionohen me 90 për qind, deri 560 euro, ndërsa për të tjerët deri në 70 për qind, ose deri në 435 euro.

Aplikimi për këto masa bëhet online, përmes platformës eKosova. Kriteret e përfitimit dhe specifikat teknike të pajisjeve që do të subvencionohen janëtë specifikuara në thirrjen për aplikim. Qëllimi i këtyre masave është i dyfishtë: të ndihmojmë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa tjera, si peleti, druri, briketi ose me pajisje elektrike që shpenzojnë 60 deri në 70 për qind më pak energji elektrike; qëllimi i dytë është që të ndihmojmë të gjitha familjet, vecanërisht familjet me kushte të vështira ekonomike, që të kenë eficientë më të lartë.

Me këto masa synojmë të përkrahim së paku 10 mijë familje. Si rezultat i masave presim ulje gati 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike, të konsumuar nga këto familje për ngrohje, që do thotë që këto familje do të përfitojnë shumëfish. E para, përfitimi direkt nga subvencioni për pajisje, në vlerë 400 deri në 2500 euro, e dyta, kursimi në fatura ose edhe ulja e shpenzimeve për dru, pelet e lëndë tjera djegëse, e treta, familjet që kursejnë energji elektrike si rezultat i kësaj skeme, përfitojnë shtesë subvencionimin e qeverisë”, tha ajo.

Go to TOP