Hamza prezanton sloganin e PDK-së, “Bashkë. Përpara”
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar sot sloganin e fushatës së PDK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Slogani i përzgjedhur është “Bashkë. Përpara”, i cili sipas Hamzës përfaqëson qasjen dhe angazhimin e partisë për të ardhmen e vendit.
Në njoftimin e bërë publik në profilin e tij në Facebook, Hamza thekson se fuqia e Kosovës qëndron te qytetarët, dhe se vetëm përmes bashkëpunimit mund të sigurohet zhvillimi i vendit.
“Bashkë. Përpara. Ky është slogani ynë dhe zotimi ynë. Fuqia e Kosovës qëndron te qytetarët e saj dhe ne duhet t’ia japim vendit të ardhmen që e meriton. Kur jemi bashkë, Kosova ecën përpara”, ka shkruar Hamza në Facebook. /Kosova.info/
