Hamza në Kamenicë, premton investime miliardëshe e reformë në shëndetësi

Partia Demokratike e Kosovës vazhdoi fushatën zgjedhore në Kamenicë, ku kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, premtoi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e investime kapitale prej 6 miliardë eurosh.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, para mbështetësve të tij në këtë qytet, duke folur për planin qeverisës për katër vitet e ardhshme, tha se vizioni i tij paraqet zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për të gjitha bizneset.

Ndërkohë, përmendi 6 miliardë euro që janë të planifikuara në mandatin e ardhshëm për investime kapitale.

Hamza u zotua për rritjen e pensioneve dhe mbështetjen e të gjitha kategorive të dala nga lufta, duke theksuar se pensionet bazike do të rriten për 70%. 

“Për invalidët veteranë të luftës do t’u njihet e drejta që ata të jenë pjesë e tregut të punës pa u ndalur pensioni”, tha ai.

Hamza tha se ndër prioritetet e qeverisjes së tij do të jetë edhe sistemi i shëndetësisë, duke dyfishuar buxhetin për barna në 150 milionë euro në vit. Ai premtoi gjithashtu funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe përfundimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.


Go to TOP