Hamiti: Hipokrizi shembullore e VV-së – marrin merita për dëmet që vetë i shkaktuan
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, hipokrizi të hapur politike duke marrë merita për procese që sipas tij janë vonuar apo dëmtuar pikërisht nga veprimet e kësaj partie.
Hamiti ka theksuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është shtyrë për vite me radhë për shkak të veprimeve të VV-së, përfshirë edhe dhunën e ushtruar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, në vend që të pranojë përgjegjësinë për këto pasoja, VV-ja sot po mundohet të përvetësojë meritat për një proces që është vonuar pikërisht nga politikat e saj.
Ai po ashtu ka kujtuar se për shkak të politikave të mbrapshta të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, Kosova tash e dy vjet e gjysmë po përballet me sanksione të ashpra nga Bashkimi Evropian. “VV-ja tani po merr merita edhe për fillimin e heqjes së këtyre masave, në vend se të marrë fajet për dëmet kolosale që ia ka shkaktuar vendit,” ka deklaruar Hamiti.
Sipas tij, për shkak të mungesës së rezultateve konkrete dhe sukseseve qeverisëse, Lëvizja Vetëvendosje po tenton t’ia bartë fajin opozitës për dështimet dhe keqqeverisjen e saj pesëvjeçare.
“Kur nuk ka suksese, VV-ja e Albin Kurtit fajëson opozitën për dështimet e veta,” ka përfunduar Hamiti. /Kosova.info/
