Haliti pritet me entuziazëm në Korbliq: Banorët shprehin mbështetje të palëkundur për LDK-në
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar sot fshatin Korbliq, ku u prit ngrohtësisht nga banorët. Haliti shprehu falënderime për mikpritjen dhe mbështetjen e banorëve, duke theksuar përkushtimin e tij dhe të LDK-së për një Kosovë më të mirë.
“Jam thellësisht mirënjohës për energjinë dhe besimin që ndjeva sot në Korbliq. Me mbështetjen tuaj, ne po ndërtojmë një rrugë drejt ndryshimit dhe një të ardhme më të mirë për vendin tonë,” tha Haliti gjatë takimit.
Banorët e Korbliqit shprehën mbështetje të plotë për LDK-në, duke e vlerësuar angazhimin e Halitit për zhvillimin e komunës dhe vendit. Takimi u karakterizua nga një atmosferë entuziaste, ku qytetarët shprehën gatishmërinë për të mbështetur LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
“Me bashkëpunim dhe përkushtim, ne do të arrijmë ndryshimin që të gjithë dëshirojmë,” përfundoi Haliti duke riafirmuar vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/
