Haliti në Viti: Qytetarët refuzojnë revizionizmin e VV-së dhe mbështesin historinë e vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti, Sokol Haliti, zhvilloi të shtunën një tubim elektoral ku theksoi rëndësinë e respektimit të historisë dhe identitetit kombëtar të qytetit. Mesazhi i tij u përqendrua tek qytetarët që refuzuan përpjekjet e Vetëvendosjes për revizionizëm politik dhe simbolik.

“Kot vjen Kurti në Viti, më shumë kishim në forumin e grave. As ata të VLEN-it s’kanë çka vijnë – se për Viti s’vlejnë send,” tha Haliti duke iu referuar vizitës së kreut të VV-së, Albin Kurti, dhe aleatit të tij nga VLEN, Izet Mexhitit.

Në tubim ishin të pranishëm edhe pjesëmarrës të OVL-UÇK-së, ndërsa qytetarët shprehën mbështetje të fuqishme për figurat historike të vendit duke brohoritur UÇK-në dhe presidentin historik Ibrahim Rugova.

Ky reagim qytetar u pa si një sinjal i qartë kundër politikave revizioniste dhe revanshiste të Vetëvendosjes duke treguar se qytetarët e Vitisë e respektojnë trashëgiminë kombëtare dhe shtyllat historike të vendit, pavarësisht tentimeve për frikësim ose njollosje politike.

Haliti vlerësoi mbështetjen qytetare dhe theksoi se obsesioni i VV-së për të penguar partneritetin PDK-LDK ka prodhuar efektin e kundërt duke forcuar bashkëpunimin dhe përkushtimin qytetar për vlerat historike dhe kombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP