Haliti falënderon mërgatën: Fitorja jonë është e zemrës dhe e besimit
Kryetari i Komunës së Vitisë dhe njëherësh kandidati për mandat të ri, Sokol Haliti, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj mërgatës kosovare për mbështetjen e jashtëzakonshme në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Në një mesazh falënderues, Haliti ka theksuar se votat e mërgatës janë dëshmi e qartë e fitores së bindshme dhe e lidhjes së pandarë mes qytetarëve të Vitisë, kudo që ndodhen.
“Faleminderit nga zemra Mërgata jonë e jashtëzakonshme! Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e krenarisë dhe mirënjohjes që ndjejmë sot. Rezultatet e votave nga mërgata jonë janë dëshmi e qartë, e pastër, e fuqishme, e fitores së bindshme, fitore e zemrës, fitore e besimit!”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka vlerësuar kontributin e mërgatës si të pazëvendësueshëm për zhvillimin e komunës dhe vendit duke theksuar se dashuria e tyre për atdheun është shembull frymëzues për të gjithë.
“Ju, bijtë e bijat e këtij vendi që jetoni e punoni larg, por që zemrën e mendjen e keni gjithmonë këtu… keni qenë dhe do të mbeteni forca më e madhe e këtij vendi. Kjo fitore është amanet që na obligon më shumë se kurrë të punojmë me përkushtim, përulësi e vendosmëri për të mos zhgënjyer asnjë prej jush”,ka shtuar ai.
Në fund, Haliti ka theksuar se mërgata foli me zemër e me dashuri për vendin duke shprehur bindjen se “së bashku do të vulosim fitoren përfundimtare!”. /Kosova.info/
