Halimi: Enver Petrovci ishte një shpirt i lirë që i dha artit dimension ekzistence
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe dramaturgut të shquar, Enver Petrovci duke e cilësuar atë si një figurë që i përket jo vetëm teatrit, por kujtesës sonë kolektive.
“Sot u nda nga ne aktori Enver Petrovci, një emër që nuk i përket vetëm teatrit, por kujtesës sonë kolektive. Me ikjen e tij nuk humbëm vetëm një aktor e dramaturg, por një ndërgjegje që përmes artit na mësoi ta kuptojmë njeriun dhe kohën”, ka shkruar Halimi.
Ajo theksoi se Petrovci ishte më shumë se interpretues rolesh duke e përshkruar si “një shpirt të lirë që i dha artit një dimension ekzistence”.
“Petrovci na tregoi se arti është mënyrë për të jetuar, për të rezistuar dhe për të sfiduar harresën. Fjala dhe gjurma e tij do të mbeten të gjalla, sepse arti i tij ishte vetë jetë!”, u shpreh Halimi.
Në fund, ajo nënvizoi se Prishtina dhe kultura shqiptare do ta mbajnë gjithmonë me nder kujtimin e Enver Petrovci, artistit që i dha kuptim të ri lojës skenike. /Kosova.info/
