Hakoi lojën “GTA 6”, dënohet 18-vjeçari shqiptar

Hakeri 18-vjeçar shqiptar, Arion Kurtaj, i cili zbuloi videot e një loje të ardhshme Grand Theft Auto (GTA) është dënuar me një urdhër për mbyllje të pacaktuar në një spital sigurie, raporton BBC. Arion Kurtaj nga Oksfordi, i cili është autik, ishte anëtar kyç i bandës ndërkombëtare të hakerëve Lapsus$.

Sulmet e bandës ndaj gjigantëve të teknologjisë duke përfshirë Uber, Nvidia dhe Rockstar Games i kushtuan firmave gati 10 milionë dollarë. Pavarësisht se i konfiskuan laptopin, Kurtaj kreu sulmin e tij kibernetik duke përdorur një Amazon Firestick, televizorin e hotelit dhe një telefon celular. Ai hyri në sistemin e brendshëm të mesazheve Slack të kompanisë për të deklaruar: “Nëse Rockstar nuk më kontakton në Telegram brenda 24 orëve, unë do të filloj të publikoj kodin burimor.”

Gjykatësi tha se aftësitë dhe dëshira e Kurtajt për të kryer krim kibernetik nënkuptonin se ai mbetej një rrezik i lartë për publikun. Ai do të qëndrojë në një burg spitalor tërë jetën, nëse mjekët nuk e konsiderojnë atë më një rrezik. Në gjykatë u tha se Kurtaj kishte qenë i dhunshëm gjatë qëndrimit në paraburgim me dhjetëra raportime për lëndime apo dëmtime materiale.

Mjekët e konsideruan Kurtaj të papërshtatshëm për t’u gjykuar për shkak të autizmit të tij të rëndë, kështu që jurisë iu kërkua të përcaktonte nëse ai i kreu apo jo aktet e supozuara – jo nëse e bëri këtë me qëllim kriminal.

Një vlerësim i shëndetit mendor i përdorur si pjesë e seancës dëgjimore tha se ai “vazhdoi të shprehte synimin për t’iu kthyer krimit kibernetik sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se “ai është shumë i motivuar”. /rtk/

Go to TOP