Hajdari: Reagimet në Maqedoninë e Veriut të koordinuara me Vuçiqin

Analisti politik, Fejzi Hajdari, ka folur për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në komunën e Çairit, ku u përurua një rrugë me emrin e veprimtarit kosovar, Adem Demaçi.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se të gjitha reagimet e politikanëve maqedonas janë në një linjë dhe koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Asgjë e veçantë vazhdon ai avazi i vjetër prej sistemit komunist. Këto reagimet e fundit ndaj shqiptarëve, emërtimi i rrugës shërbeu si shkas për të reaguar, kështu reagojnë maqedonasit tani 30 vjet me radhë”.

“Ne akoma në Kushtetutë quhemi popull 20 për qind. Vazhdojmë të merremi me probleme që nuk janë karakteristike në shtete tjera të rajonit. Politika maqedonase është pak a shumë dorë e zgjatur e kuzhinave të Beogradit të periudhës së komunizmit”.

“Dihet Maqedonia e Veriut e ka butonin në Beograd kjo politikë. Këto reagimet si ai i presidentit janë buton i Serbisë, e patë që menjëherë reagoi edhe Vuçiq, kanë reaguar në të njëjtën linjë”, ka thënë Hajdari.

Go to TOP