Hajdari: Kosova e mbrojtur nga rritja e çmimit të naftës, por pa ligj për produktet esenciale për shkak të opozitës
Në kohën kur çmimet e naftës po shënojnë rritje në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se Kosova është më e mbrojtur në sektorin e naftës, por jo edhe për produktet tjera esenciale.
Hajdari theksoi se Kosova ka një bazë ligjore funksionale për rregullimin e çmimeve të naftës, por mungesa e një ligji për produktet tjera bazë, siç janë ushqimet dhe druri për ngrohje, ka lënë një boshllëk të rëndësishëm në menaxhimin e krizave ekonomike. Sipas saj, ky ligj nuk ka hyrë në fuqi për shkak të kundërshtimeve nga opozita, të cilat kanë çuar në rrëzimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se ngushton konkurrencën e lirë në treg.
“Për sektorin e naftës jemi më mirë të kompletuar ligjërisht. Kemi një ligj për produktet e naftës në fuqi. Por nuk mund të rregullojmë çmimin furnizues që hyn në tregun e Kosovës, sepse ai përcaktohet në tregjet ndërkombëtare. Çmimi për një litër naftë në Kosovë aktualisht sillet nga 1.17 euro deri në 1.25 euro”, tha Hajdari.
Ajo sqaroi se çmimi për tregun e brendshëm bazohet në çmimin furnizues të Doganës së Kosovës, ndërsa mbi të shtohet 12 cent për shitje me pakicë ose 2 cent për shitje me shumicë dhe pakicë.
Sa i përket funksionimit të paligjshëm të një pompe derivateve në Pejë, ministrja tha se nuk ka informacion të saktë nëse është apo jo e licencuar, por shtoi se inspektorati ka rritur ndjeshëm numrin e inspektimeve.
“MINT ka intensifikuar inspektimet për sektorin e naftës, duke rritur mbikëqyrjen mbi 100 për qind gjatë mandatit tim. Kur kemi nisur punën në vitin 2021, më shumë se 50% e pikave të derivateve ishin të paformalizuara. Sot kemi formalizuar 98% të tyre”, tha Hajdari.
Ajo potencoi se me ligjin e ri për produktet e naftës, janë thjeshtuar procedurat dhe ulur tarifat e licencimit – nga 3-5 mijë euro më parë, në vetëm 50 euro për produktet e naftës dhe 55 euro për produktet e duhanit. Kohëzgjatja e licencave është zgjatur nga 2 në 6 vjet.
Deklaratat e saj u bënë pas lansimit të skemës së re të granteve prej 1 milion euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin e TIK-ut. /Kosova.info/
