Guvernatori Ismaili pjesë e konferencës mbi reformat në sistemin pensional
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në panel në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”, e organizuar në Tiranë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Bëhet e ditur se në këtë konferencë morën pjesë drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, si dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve, shoqatave dhe instituteve të pensioneve dhe botës akademike.
“Punimet e konferencës u hapën me fjalët hyrëse të Drejtoreshës Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Fokusi i konferencës ishte diskutimi mbi praktikat ndërkombëtare të rregullimit dhe mbikëqyrjes së sistemeve pensionale, sfidat dhe iniciativat për reformim, bazuar në modelet më të mira globale”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Gjithashtu bëhet e ditur se guvernatori Ismaili mori pjesë në panelin me temë “Pensionet dhe Skemat me Kontribute të Përcaktuara”, të kryesuar nga William Price nga Banka Botërore, së bashku me Mimoza Kaçi, Drejtore Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, si dhe përfaqësuesit e lartë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Kroacisë dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve Pensionale të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Ismaili prezantoi qasjen e Bankës Qendrore në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit pensional, duke theksuar rëndësinë sistemike të këtij sektori për stabilitetin financiar të vendit.
