Qytetarë, politikanë, gazetarë e analistë – Të gjithë janë target i Ferajt e Hoxhës së LVV-së
Njëri këshilltar, e tjetri ish-këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shpesh zgjedhin rrjetet sociale, për t’i kritikuar, fyer e ofenduar të tjerët. Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha, eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria, e kanë target secilin që del dhe e kritikon shefin e tyre. Jo më larg se të premten, ishim dëshmitarë të një fyerje që ia bëri Feraj nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke e quajtur atë “zëdhënëse të Vuçiqit”.
Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje u hapi rrugë disa aktivistëve, për të cilët nuk është ishte dëgjuar shumë më herët.
Në mesin e tyre, janë edhe Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha, të cilët fituan terren pas largimit të Visar Ymerit, Shpend Ahmetit, Dardan Molliqja e të tjerëve nga partia, në vitin 2017.
Ndryshe prej këtyre të fundit, Feraj e Hoxha janë përfolur shumë për diskursin e tyre problematik, që shpesh ka kaluar në ofendime e fyerje.
Hysamedin Feraj
Hysamedin Feraj në zgjedhjet e fundit kandidoi për deputet me Lëvizjen Vetëvendosje, por nuk ia doli të fitojë mandatin.
Sidoqoftë, nuk kaloi shumë kohë dhe u emërua këshilltar nga kryeministri Albin Kurti, i cili tani ka përsipër përgjegjësin e koordinimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Por as pozita në Qeverinë e vendit, nuk ka ndikuar që Feraj t’i ndalë deklaratat e tij nëpër rrjete sociale. Një gjë të tillë e bëri edhe të premten, kur e quajti Vlora Çitakun “zëdhënëse të Vuçiqit”.
“Vlora Çitaku u paska hyp mbrapsht skijave dhe paska rrëshqitur keq në pozicionin e dëshiruar politikisht nga Serbia: Sot i paska dhënë zë pothuajse gjithë shtypit të Vuçiqit kundër meje. Me sa duket e paskan pranuar për zëdhënëse”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Feraj u mor me një politikan tjetër edhe para disa ditësh. Bëhet fjalë për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të cilit në mënyrë skandaloze iu drejtua në gjuhën serbe, duke i thënë “a po kupton” ose “razumeš” (në serbisht).
Përveç politikanëve, Hysamedin Ferajn e kanë penguar edhe mediat. Ai kishte deklaruar se pas çlirimit të Veriut, radhën e kanë mediat që të pushojnë “së foluri shqip serbishten e Vuçiqit”.
Kjo nuk ishte hera e parë që Feraj linçoi mediat. Ai kishte “përpiluar” një listë të gazetarëve e analistëve, që sipas tij punonin për Serbisë.
Feraj ishte marrë edhe me votuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët i kishte konsideruar si mbështetës të “klanit pronto”.
Këtë herë, zyrtarin e LVV-së e kishte nervozar deklarata e deputetes Blerta Deliu, e cila e cilësoi si terrorist kunatin e ministres Albulena Haxhiu, i cili u arrestua me grupin e Kumanovës. Për këtë, Deliu më vonë kishte kërkuar falje.
Elvis Hoxha
“Ideologu” i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha viteve të fundit është bërë figurë shumë e përfolur nëpër media. Krejt kjo, për shkak të gjuhës së përdorur në rrjete sociale.
Ai njëjtë si kolegu i tij, Feraj, shpesh është marrë me gazetarë. Gjatë vitit të kaluar, gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu i ishte drejtuar kryeministrit Kurti me një letër publikë për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo nuk ishte lënë pa u komentuar nga Hoxha, i cili e kishte akuzuar Fevziun, duke e quajtur “dhunues hapësirash intime”.

“Një drejtues emisioni debati që ka dhunuar hapësirat intime të shqiptarëve për 26 vite, që ka shkatërruar valën publike të transmetimeve për çerek shekulli, që ka marrë pjesë në korruptimin e shoqërisë dhe politikës shqiptare po aq sa të gjithë pushtetet e Shqipërisë së demokraturës, që ka marrë pjesë në shembjen e të gjithë kulturës kombëtare, përfshirë Teatrin Kombëtar, po i shkruan letër të hapur Albin Kurtit, i cili çerek shekulli ka bërë rezistencë me burg e demonstratë. Kjo letër e hapur është paturpësi e hapur”, kishte thënë ai.
Hoxha ishte marrë edhe me analistin Demush Shasha, pasi ky i fundit kishte qenë në një panel përballë kryeministrit Albin Kurti.
Në një opinion të publikuar, Hoxha e kishte quajtur Shashën “gomar”, “serb”, “civilo-analist”, ani pse s’i kishte përmendur emrin.
“Ideologu” s’e kishte duruar as sovranin. Ai kishte reaguar ashpër pas fitores së Edi Ramës në Shqipëri, zgjedhje në të cilat kishte garuar edhe Lëvizja Vetëvendosje me degën e saj atje.
Hoxha i kishte quajtur qytetarët shqiptarë si “njerëz parapolitikë” derisa i kishte lënë fajin për situatën e keqe politike në vendin tonë fqinj.
Probleme më së shumti, sipas postimeve të tij, Elvis Hoxha ka me ish-kryeministrin Avdullah Hoti. Madje, atë e kishte quajtur edhe “budallë”,
Ndërkaq, gjatë kohës sa ishte vetë Hoti në pushtet, Hoxha e kishte krahasuar qeverisjen e tij dhe atë të Edi Ramës me regjimin e Millosheviqit, përmes një tjetër postimi skandaloz.
“Qeveria Koti kërkon që të ketë reciprocitet në heqjen e reciprocitetit. Vuçiçi tepër i kënaqur me Qeverinë Koti. Ata që kërkojnë prej shqiptarëve të heqin reciprocitetin, nuk janë shumë larg prej atyre që i konsiderojnë shqiptarët si entitet me të cilin nuk mund të bashkëjetohet. Qeveria që ua shkatërron shqiptarëve Teatrin Kombëtar, nuk është më mirë se të tjera që e konsiderojnë shqiptarin si qenie me bisht”, kishte thënë ai.
Jo shumë kohë më parë, ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ua kishte bërë një përshkrim Ferajt e Hoxhës, duke thënë se bazën filozifike e kanë mjaft të rrezikshme.
Madje, Ahmeti kishte deklaruar se ata janë “gati në kufirin e fashizmit”, për disa çështje.
