Gojën plot helm 5 vite ndaj drejtësisë, pastaj lut e fal, e lavdëro… mos u çuditni prej tij!
Shkruan: Idriz MORINA
Atë që shumica e shpresonim, drejtësi, ligj, dhe respekt shtetëror, ngelën të vrara në kohë. Ne që jetuam në tmerrin e okupimit serb, heqje autonomie, mbyllje shkollash, universiteti e akademie, fabrika e çka jo duke kushtëzuar me pranimin e rrënimit të dinjitetit shqiptar, pranimin e pushtimit klasik, nuk u dorëzuam me shpresën se tashmë kishim vendosur dhe ishim nisur rrugës për Pavarësi.
Shteti ynë do të shndrinte nga zhvillimi, lulzimi ekonomik, arsimi, shëndetësia… ëndërronim se do të ishim si në një vend mitik…
Pasi provuam gjenocidin dhe torturat e fundit të një shteti antinjerëzor, të një populli të kthyer në mizor… erdhëm tek liria jonë… fatkeqësisht ata që thanë se na sollën lirinë filluan edhe me krime, vrasjen e vëllezërve të pafajshëm që ende besonin në shtetin ideal… nisën uzurpimet, më vonë edhe vjedhjet e shtetit, keqpërdorimet e buxhetit, privatizimet e kurdisura…
Por, më pas erdhën ata që premtuan që të gjitha këto do të ishin të harruara. Do të sillnin drejtësinë e munguar, paqen e dashurinë… por, çuditërisht sollën edhe aromën e urrejtjes që kurrë nuk ishte ndjerë, në mesin e më të afërmve, familjarëve, të atyre që naivisht besonin se këta ishin liderët e duhur, dhe se kundërshtimi i tyre kinse ishte lufta për kthimin e së shkuarës, dhe jo për rikthimin tek ëndrra fillestare, shteti ideal, shteti mitik shqiptar!
Një risi e regjistrit të krimit në këtë vend bëri histori, nga uzurpimet e dikurshme të pronave publike apo të tjetrit, ndodhi Uzurpimi i Qeverisë, dhe refuzimi për t’u tërhequr nga kjo shkelje kushtetuese dhe ligjore e shenjtë!
Pas akuzave 5 vjeçare për drejtësinë, sot e dëgjuam uzurpatorin qeveritar t’i falet e falënderoj Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila, pavarësisht nëse ishte projekt paraprak ose jo, si asnjëherë më parë, po shkruan historinë duke ngritur aktakuza dhe nxjerrë para drejtësisë kriminelët serbë, dhe ata që e mbështetën krimin shtetëror serb ndaj shqiptarëve!
Prokuroria Speciale e mbështetur nga FBI-ja amerikane ia doli të dokumentojë se krimi në Ibër Lepenc, sulmi terrorist i kryer më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, ishte i organizuar nga Serbia, dhe se bazuar në detyrat shtetërore të njërit prej të akuzuarve rezulton të jetë përfshirë si agjent i shërbimit inteligjent shtetëror serb. Po ashtu punët e spiunimit dhe vëzhgimit që kanë kryer, janë një tjetër argument se ato nuk janë bërë nga organizata paramilitare, por për interesa shtetërore të Serbisë, sepse vetëm ajo mund të kishte interes për survejimin e KFOR-it dhe të institucioneve dhe vendeve strategjike të Kosovës!
Por, edhe këtë Kurti e reduktoi, në veprimtari paramilitare, në vend të akuzës ndaj shtetit serb! Huqje apo një apologji për regjimin e Vuçiqit, këtë do ta tregojë koha!
Por, fatkeqësisht të njëjtën ditë, ministrja në detyrë Rozeta Hajadari, që ka refuzuar të dorëhiqet, dhe po ashtu as nuk është shkarkuar, refuzoi të dalë sot para gjykatës për krimin që dyshohet se ajo ka kryer në rastin e abuzimit me rezerva shtetërore.
Si të dilte para drejtësisë, derisa shefi i saj ka refuzuar madje edhe pas dy dënimeve të paraqitet para drejtësisë për të dëshmuar. Po në këtë proces është i obliguar të paraqitet si dëshmitarë Albin Kurti, i cili refuzoi ta bënte këtë para Prokurorisë speciale! Po ndaj saj ka derdhur helm akuzash madje në konferencë shtypi, vetë e akuzuara për rastin, znj.Hajdari!
Dhe pikërisht në ditën kur qeveria e tij refuzon drejtësinë, ai del dhe flet e premton luftë ndaj korrupsionit, pasi për pesë vjet, pas një pauze të shkurtër korrupsioni është erruptiv, thuaja si në asnjë qeverisje tjetër, dhe mbrohet me ngulm, që madje edhe Hashimi, po të mos ishte në Hagë do t’ia kishte lakmi!
Ps. Për relaksim dhe për të kuptuar realitetin e hidhur shqiptar, këndej e andej kufirit dëgjoni këngët ironike të Balkan beat: … Nëse shan me nënë ta japin festivalin
