Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministrave Shala e Krasniqi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës ndaj ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi, duke konfirmuar vlefshmërinë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në vendimin e 13 shkurtit 2025, Gjykata ka vlerësuar se aktakuza është në përputhje me ligjin dhe përmban prova të mjaftueshme për të formuar dyshimin e bazuar ndaj të akuzuarve. Mbrojtja kishte pretenduar mungesë të provave dhe të dashjes, por Gjykata ka konstatuar se këto rrethana do të shqyrtohen gjatë gjykimit, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, Krasniqi akuzohet se ka tejkaluar kompetencat përmes një udhëzimi administrativ që favorizonte interesa private, duke shkaktuar dëm ndaj interesit publik në vlerë prej mbi 11 milionë euro. Ndërsa Shala akuzohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme përmes emërimit të një kompanie në pronësi të një familjari të tij, duke shkaktuar dëm prej mbi 730 mijë eurosh.

Të dy janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare, ndërsa procesi tashmë pritet të vazhdojë me shqyrtim gjyqësor. /Kosova.info/


Go to TOP