Gjykata e Lartë/ Dekretimi i gjyqtares së re nga Meta, reagojnë Kim dhe Soreca

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka reaguar pas dekretimit nga Presidenti Ilir Meta të gjyqtares Arbena Ahmeti në Gjykatën e Lartë.

“Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve për të vënë në zbatim reformën në drejtësi, përfshi edhe emërimin nga Presidenca të gjyqtarit të dhjetë në Gjykatën e Lartë. Rritja e funksionalitetit të Gjykatës së Lartë e lejon që të emërojë edhe një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese”, tha Kim përmes një postimi në Twitter.

Vendimi u mirëprit edhe nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. “Gjykata e Lartë tashmë ka arritur kuorumin që të caktojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të reformës në drejtësi në Shqipëri”, shkroi Soreca në Twitter.

Presidenti Ilir Meta dekretoi emërimin e Arbena Ahmetit, si gjyqtare në Gjykatën e Lartë, të përzgjedhur për t’u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

“Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe sot përmes Dekretit nr. 13477, datë 16.02.2022, ka vendosur që zonja Arbena Ahmeti emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 10 (dhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Go to TOP