Gjumë, shëtitje, supë me patate: Çfarë do të bëjë Merkel në pension?

Pas 16 vjetësh në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës, gjëja e parë që Angela Merkel dëshiron të bëjë kur të tërhiqet nga politika, është të bëjë ‘një sy gjumë’. Por çfarë ndodh pas kësaj?

Kancelarja është shprehur në lidhje me atë që do të bëjë pasi t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të saj Olaf Scholz më 8 dhjetor.

Gjatë katër mandateve të saj në detyrë, 67 vjeçarja Merkel shpesh përshkruhej si gruaja më e fuqishme në botë, por së fundmi ajo la të kuptohet se nuk do t’i mungojë të qenit në krye.

“Do ta kuptoj shumë shpejt se e gjithë kjo tani është përgjegjësi e dikujt tjetër. Dhe mendoj se do të më pëlqej shumë kjo situatë”, tha ajo gjatë një udhëtimi në Uashington këtë verë.

E njohur për qëndrueshmërinë e saj dhe aftësinë e saj për të mbetur e freskët pas takimeve gjatë gjithë natës, Merkel dikur tha se mund ta ruajë gjumin ashtu si ‘deveja ruan ujë’.

Por kur u pyet për pensionimin e saj në Uashington, ajo u përgjigj: “Ndoshta do të përpiqem të lexoj diçka, pastaj sytë do të fillojnë të mbyllen sepse jam e lodhur, kështu që do të bëj një sy gjumë të vogël dhe pastaj do të shohim”.

E zgjedhur për herë të parë si deputete në vitin 1990, menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë, Merkel së fundmi sugjeroi se nuk kishte pasur kurrë kohë të ndalej dhe të reflektonte se çfarë tjetër mund të donte të bënte, shkruan Yahoo.com.

“Unë kurrë nuk kam pasur një ditë normale pune dhe natyrisht kam pushuar së pyeturi veten se çfarë më intereson më shumë jashtë politikës”, i tha ajo një auditori gjatë një interviste të përbashkët me shkrimtaren nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie.

“Meqë kam mbushur moshën 67 vjeç, nuk më ka mbetur një kohë e pafund. Kjo do të thotë se dua të mendoj me kujdes se çfarë dua të bëj në fazën tjetër të jetës sime”, tha ajo.

“A dua të shkruaj, a dua të flas, a dua të shkoj në shëtitje, a dua të qëndroj në shtëpi, a dua të shoh botën? Kam vendosur të mos bëj asgjë për të filluar dhe të shoh se çfarë ndodh”.

Merkel mund të dëshirojë të kalojë më shumë kohë me bashkëshortin e saj Joachim Sauer në Hohenwalde, pranë Templinit në ish-Gjermaninë Lindore ku ajo u rrit dhe ku ka një shtëpi pushimi.

Ndër aktivitetet e kohës së lirë që ajo mund të ndërmarrë është mbjellja e perimeve dhe veçanërisht e patates, diçka që ajo i tha dikur revistës “Bunte” në një intervistë në 2013 se i pëlqente ta bënte.

Ajo njihet gjithashtu si një fanse e ishullit vullkanik të D’Ischia, veçanërisht fshatit të largët bregdetar të Sant’Angelo.

Merkel u kap në një video me telefon këtë javë duke shfletuar këpucët në një dyqan veshjesh sportive në Berlin, duke çuar në spekulime se ajo mund të jetë duke planifikuar diçka aktive.

Merkel do të marrë një pension mujor prej rreth 15,000, sipas një përllogaritjeje nga Shoqata Gjermane e Tatimpaguesve. Por ajo kurrë nuk ka qenë e dashur për shpenzime të mëdha, duke jetuar në një apartament në katin e katërt në Berlin dhe shpesh duke bërë pazaret e saj ushqimore.

Në vitin 2014, ajo madje e çoi kryeministrin kinez Li Keqiang në supermarketin e saj të preferuar në Berlin pas një takimi dypalësh.

Pra, ndoshta ajo thjesht do të kalojë disa netë të qeta duke pirë verën e saj të bardhë të dashur dhe duke ‘rrahur’ pjatën që dikur e shpalli si të preferuarën e saj, një “supë vërtet të mirë me patate”.

Go to TOP