Gjon Keka, një profil në lëmin e letrave

Shkruan: Prend BUZhALA

Kur vështrojmë titujt e botimeve të deritashme të librave e studimeve të autorit Gjon Keka dhe i krahasojmë me rrugën e formimit universitar deri te ai i doktoratës, do të na bien në sy dy kahe të punës së tij: e para, formimi i tij është ai i fushës së politologjisë, nga njëra anë, kurse interesimet e tij i ka zgjeruar edhe me publikimet nga fusha e historisë dhe lëvizjeve tona, nga ana tjetër. Kësisoj, duke i vështruar botimet më të reja, në kuadër të mbi 30 titujve librash të botuar deri më tash, po i ndajmë në tre qerthuj tematikë e studimorë:

1. Kombi dhe historia

2. Personalitetet historike

3. Nga antropologjia deri te demokracia dhe politika.

1.

Po qe se te vëllimet (2011), “Vetëplotësimi i Kombit” (2012), “Rruga e vjetër e kombit” (2013), “Roli politik dhe ushtarak i shtetit te Arbrit” (2015), “Kontributi i Perandorisë Austro-Hungareze për kishën katolike në Shqipëri“ (2016), “Arbëria përball renegatëve (Dje dhe Sot)” (2018) na e dëshmojnë këtë interesim të tij jo vetëm si politolog, por edhe si publicist, që shfaq shqetësimet, observimet dhe opinionet e tij për proceset e rrjedhat e ndjeshme të së kaluarës e të identitetit kombëtar, po edhe të aktualitetit kombëtar e të atij politik, shkencor, teorik, praktik dhe analitik; po qe se te vëllimet mbi figurat historike e ato të së sotmes, siç janë Skënderbeu në rreth shtatë tituj librash, apo monografi për figura e personalitete si Konstantini i madh, Nikollë Leonik Tomeu, Karl Gega, Ibrahim Rugova, Nëna Tereze, Ukshin Hoti apo Anton Çetta, ai do të përqendrohet tek figurat iliro-arbërore-shqiptare që kanë ndryshuar epokat apo që kanë lënë gjurmë e që kanë ushtruar ndikimin e tyre në proceset e djeshme e të kohës sonë; tek vëllimet tjera, si “Kosova drejt pavarësisë dhe integrimit” (2006), “Gabimet politike në Kosovë dhe Shqipëri” (2010), “Shqiptarët në prizmin e diplomacisë ndërkombëtare”, “Edukimi Politik” (2016), “Demokracia dhe Tranzicioni – rasti i Kosovës dhe Shqipërisë” (2017) dhe “Metapolitika” (2019) do të ndjehet më i sigurt, sepse është fahu i tij i formimit profesional dhe intelektual e ku ai shtjellon problematika nga jeta politike, shoqërore, antroplogjia politike dhe, sidomos, nga ajo e politikologjisë.

Përpos shënimeve të tilla të pasura bio-bibliografike, Gjon Keka ka edhe zellin e përkushtimin e tij të palëkundshëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar e në shquarjen e përmasës europerëndimore shqiptare. Ai vështron majat, kulmet dhe përmasat e madhështisë së këtyre epokave me rëndësi botërore e që ndërlidhen pashkëputshëm me kulturën, historinë, trashëgiminë dhe identitetin tonë. që na i shpërfaq suksesshëm përmasat e së kaluarës sonë dhe ato të së ardhmes dhe, më në fund, që arrin t’i identifikojë qartë çështjet dhe plagët a problemet që na preokupojnë e mundojnë. Ai ka ardhur, jo i papërgatitur në këtë fushë të dijes në letrat shqipe, aspak të lehtë. Gjon Keka dëshmon prirjen e një autori të disiplinuar, prirjen e një kërkuesi pasionant të të vërtetave për ne në botën e letrave europerëndimroe. Ai hyn në plejadën e intelektualëve të rinj shqiptarë, që ka depërtuar me zellin e dijes krijuese në botën e letrave e shqipe, me pikëqëndrimin e tij të madh tek ngjarjet me rëndësi epokale e tek figurat iliro-arbërore-shqiptare që kanë ndryshuar epokat. Kur ai gjen diçka për ne nëpër arkivat, biblioekat apo qendrat tjera të ruajtjes së librave dhe shkrimit, për të na e tërhequr vëmendjen, thekson një paradoks të kohës sonë: sa shumë kanë shkruar të huajt për figura të shquara ilire apo për ato të kohës së Skënderbeut e këndej e që kanë bërë emër në histori, dhe sa pak dimë ne për ta! Sa shumë të huajt na i nderojnë ngjarjet e figurat tona e sa shumë baltë hedhim ne kundër vetvetes! Sa e sa herë vetë e kemi shtruar pyetjen nëpër vorbullat më të reja të historisë: kush kemi qenë, kush jemi dhe kah po shkojmë? Prandaj, le ta lexojmë edhe këta libra në frymën e projektit të madh të autorit përkitazi me këto figura, ngjarje të përkatësisë së rrënjëve tona identitare, nga njëra anë; gjithnjë me shpirtin e pasionit të tij për hulumtime, për të vënë në pah edhe qarqet e caktuara të politikave të huaja ditore evropiane e ballkanike që përpiqen edhe sot për t’i përvetësuar këto personalitete dhe vlerat tona kombëtare; për t’i shtrembëruar e falsifikuar faktet apo për t’i lënë ato në harresë.

2.

Kështu, te qerthulli i parë i librave mbi kombin dhe historinë, po e veçojmë vëllimin “Kombi shqiptar dhe fati i tij (Momentet kryesore në historinë e Arbërisë)”, të cilin e nis me prejardhjen e lashtërisë pellazge-ilire të kombit tonë, ai thekson: “Si rrallëherë ndodh me kombet, historia e lashtë e popullit tonë iliroarbëror është e mbuluar me pluhurin dhe harruar nga shtresat e mos kujtesës, duke e bërë kështu të vështirë që në ditët e sotme t’i hedhim më shumë dritë të vërtetës dhe nxjerrjes së rrënjëve të lashta të tij. Megjithëkëtë, kjo nuk është e pamundur, pasi sot janë të gjitha mundësitë, dokumentet, si dhe faktet

nëpër biblioteka e arkiva të ndryshme europiane e botërore.” Dhe të gjitha këto të dhlna ai i mbështet në literaturën europerëndimore e më gjerë, të publikuara nëpër shekuj a të ruajtura nëpër arkiva e biblioteka. “Shqipëria ofron një ilustrim të shkëlqyer të kompleksitetit të jetës kombëtare në Ballkan. Populli i saj flet një gjuhë që lidhet me trakishten dhe ilirishten e lashtë.” Te ky libër, përpos teksteve autoriale prej rreth 60 faqesh, janë mbi 210 faqe të tjera dokumente të ndryshme të fotokopjuara historike, gravura, portrete, harta etj. Më tutje ai pohon: “Në periudhat e mëvonshme e ajo më e ndritura e Gjergj Kastriot Skënderbeut e deri në ditët tona, shqiptarët kanë ruajtur me një xhelozi të madhe karakterin gjenetik ilir të lashtësisë së tyre… Ka më mijëra dokumente historike dhe dorëshkrime të shkrimtarëve të periudhave të ndryshme që flasin për një vijimësi iliro-shqiptare.” Vjen po ashtu një argumentim tjetër interesant: “Në lidhje me këtë, mund të përmend edhe se kleri i krishterë katolik, përgjatë gjithë kohës ka treguar një përkushtim të madh në ruajtjen e kësaj lashtësie të gjuhës ilire te shqiptarët; madje ata kanë qenë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e mëdhenj të nxjerrjes në dritë të shumë të dhënave të dokumentuara mbi gjuhën dhe formën e shkrimit shqip, si dhe të lidhjes së shqipes së sotme me origjinën pellazge. Këtu mund të nënvizoj se, në shekullin e dytë, kisha e krishtere katolike në gjithë Shqipërinë shpalosi në Selinë e Romës edhe përmbajtjen e vjetër të gjuhës ilire dhe të alfabetit të saj. Për këtë flasin dokumente, të cilat mund të hulumtohen në arkivat e Vatikanit, pasi vetë kleri i krishterë ishte ai që e demonstroi përbërjen e plotë të gjuhës shqipe.” I nxjerr gjithë këtë stivë dokumentesh në ato qindra faqe në gjuhë të huaja, për t’iu kundërvënë fakteve të rreme të gjoja mos ekzistencës së kombit tonë “që duan t’i fusin në qorrsokak burime të vërteta shkencore”. Kësisoj, pasi t’i argumentojë këto përmes burimeve të gjetura, ai pohon me të drejtë: “E gjithë kjo kurrsesi nuk mund të errësojë historinë dhe të vërtetat e saj të argumentuara fuqishëm… kemi parë që gjer më sot nuk ka dalë ndonjë tezë tjetër për ta rrëzuar atë që është thënë nga shumë studiues e që është vërtetuar edhe nga objektet arkeologjike, se Iliria e vërtetë është Arbëria e vërtetë, epirotët e lashtë janë arbënorët e lashtë, dardanët e lashtë janë arbënorët e Dardanisë (Kosovës) së lashtë.”

Jo vetëm te ky libër, por edhe te ata të qerthujve tjerë, ai e ndërthur edhe një fushë tjetër studimesh, siç është antrolpologjia, një dije univerale që studion njeriun, dhe përhapjen e tij historike dhe gjeografike, si dhe “ligjet që kushtëzojnë zhvillimin e tij biologjik dhe mendor, parimet e ndërlidhjes së tyre dhe fenomenet sociale dhe kulturore të bashkësive të ndryshme njerëzore… “ Në këtë rast, te libri i sipërpërmendur ai ndalon te antropologjia fizike e shqiptarëve, sipas autorëve e studiuesve të huaj, si Leopold Glück, Touqueville,Cyprien-Robert, Löher, Bakers, Weisbach etj. Te kapitujt tjerë, më tutje, përqendrohet te epoka e Skënderbeut, duke theksuar se Gjergj Kastrioti është fryti më i përsosur i racës arbërore.

Këtë vertikale historike autori e vë në pah, për ta përvetësuar edhe ndërgjegjen moderne, se ne vetë duhet t’i njohim rrënjët tona, se gjuhën, traditat dhe zakonet, se kombi ynë nuk ka tjetër fat pasi natyrshëm i takon familjes së madhe të kombeve të përbashkëta evropiane, se shenja e vërtetë dalluese e së njëjtës janë gjuha dhe karakteri kombëtar; se udhëzuesi i vërtetë i të ardhmes, si dhe i fatit që na e ka përcaktuar ne si komb është Gjergj Kastrioti që e vulosi identitetin tonë. Evropa ka punuar për fatin e saj, se “Europa është e bashkuar, por jo e plotë pa kombin tonë arbëror europian.” Këto teza ai i thellon te veprat tjera të këtij karakteri, siç janë “Vetëplotësimi i Kombit” (2012), “Rruga e vjetër e kombit” (2013), “Roli politik dhe ushtarak i shtetit te Arbërit” (2015), “Kontributi i Perandorisë Austro-Hungareze për kishën katolike në Shqipëri“ (2016), “Arbëria përball renegatëve (Dje dhe Sot)” (2018). Autori pohon: “Nuk ka pushtues të mirë, as pushtues çlirues, por vetëm pushtues skllavërues”, apo “Europën e kemi brenda nesh”.

3.

Te qerthulli i dytë i shkrimeve mbi figurat historike e ato të së sotmes, kemi shtatë tituj librash që i kushtohen Skënderbeut, siç janë: “Skënderbeu, ideator i bashkimit europian” (2012), “Gjon Keka: Roli politik dhe ushtarak i shtetit te Arbërit – Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit” (2015), “Patriotizmi i Gjergj Kastriotit-Porositë dhe Këshillat” (2018), “Skënderbeu dhe Mirditorët” (2018), “Autoriteti dhe Fama e Skënderbeut” (2019), “Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) në literaturën lituane” (2019), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi” vëllimi I (2023) apo vëllime edhe në gjuhë të tjera, në të cilat ai sjell para nesh dokumentin historik. Mbase, iu mbetet historianëve që ato të tipologjizohen, t’i nënshtrohen aparaturës diturore e akribisë shkencore. Autori nuk kishte ambicie më shumë përpos që t’ia kushtojnë kohën e tij, mundin e tij, privimet e tij jetësore, pasionin e tij dhe përkushtimin e tij çështjes së atdheut, atdhedashurisë, apo, siç e thekson “si dhe krenarinë që ndjej për emrin shqiptar. Çdo hulumtim, studim nëpër arkiva dhe biblioteka, botim e gjithçka tjetër e bëj pa asnjë mbështetje, pa ndihmën e shtetit apo të ndonjë institucioni e akademie.”

Te vëllimet tjera ai merret me figura e personalitete si Konstantini i madh, Nikollë Leonik Tomeu dhe Karl Gega, ndërsa nga kjo lagje figurash të kohës sonë ai shkruan monogarfitë

“Ibrahim Rugova – Lidership i idealeve të mëdha” (2011), ku spikat njeriun e lëvizjeve që bëjnë kthesë në historinë tonë me rikthimin e madh të kombit tonë kah Evropa Perëndimore, pastaj “Ukshin Hoti mendimtar i thellë Politik (2013), në të cilën vë në pah mendimin e tij politik, duke e argumentuar si personalitet mbikohor të kombit që flet me gjuhën e pastër të patriotit dhe të shkencëtarit të vërtetë. Meqë këto ditë po mbahen “Ditët e Nënës tereze”, do theksuar në këtë drejtim edhe kontributin e Gjon Kekës me veprën e tij “Nënë Tereza ,Arbënorja e famshme e te gjitha kohërave” (2016), për të pohuar në radhë të pare karakterin e saj etnik, dhe me atdheun gjithmonë në zemër dhe në rrafshin universal përkujdesjen për njerëzit e braktisur.

Do theksuar se tek të gjithë këto monografi, ai sjell literaturë të pasur nga gjuhët tjera edhe mbi personalitetet tona, dëshmi se ne vlerësohemi, ndoshta më shumë se sa ne e vlerësojmë vetveten. Dhe kjo dëshmi ështl një trokitje në ndërgjegjen tonë, se çfarë ne duhet të bëjmë për vetveten.

Kur iu biem në fund këtyre tre qerthujve tematikë, atëherë le ta hedhim një vështrim kah vetvetja: se jemi komb i bekuar me njerëz të bekuar që na e heqin nga balta e hedhur mbi ne mallkimin historik; se kemi kapërcyer sfida të mëdha historike dhe kanë qenë këto bekime të mëdha historike që e kanë shpënë përpara këtë komb, se ne jemi një bekim edhe për të tjerët, për lirinë e demokracinë si vlera universale, një komb që qëndron drejt, me njerëz të guximshëm që e duan lirinë për të cilën ka bërë sakrificat më sublime deri te lufta e fundit me Jasharajt në krye. Historia na dëshmon se si nga mallkimi historik janë zhdukur shumë kombe. Duke i dhënë shembujt e mëdhenj të bashkimit kastriotian, shembujt e ngjarjeve të mëdha, shembujt e personaliteteve të mëdha dhe ata të mendimit politik e nacional, atëherë sikur përligjet mendimi i një autoreje bashkëkohore Ronit Cytheria: “Kur qytetarët janë të bashkuar, nuk ka asnjë gabim që nuk mund të rregullohet.” I kuptojmë edhe zemërimet e sotme ndaj kombit tonë, kur vuajmë nga ksenofobia deri te fenomeni tjetër i përuljes së njerëzve pa kurriz ndaj çdo gjëje të huaj, apo i zemërimeve që na vijnë nga jashtë kundër nesh. Autori nuk i do rrugët e liga të kombit tonë. Ai do që vendi atdheu ynë të jetë nj vend i mirë që ta duam të gjithë dhe të na duan edhe në botën e jashtme. Ne kemi plot njerëz tanë në botën e jashtme, që janë bërë të njohur, por të cilët kurrë nuk e kanë harruar kombin e tyre, ashtu siç jetoi Nëna Tereze kur ligjëronte: “Unë e kam gjithmonë në zemër popullin tem shqyptar”, sepse patriotizmi qëndron mbi qeveritë e mbi regjimet. Mbase, edhe për shkakun se vendit tënd ia di më shumë vlerën kur gjendesh jashtë.

Më së shumti dhemb padrejtësia në vendin tuaj. Kur shkruan këta libra, autorit i dhembin shumë padrejtësitë historike e dhuna historike që është ushtruar ndaj nesh, por ashtu i dhemb edhe padrejtësia që ne ia bëjmë vetvetes. Dhe, në këtë drejtim, secili dokument i gjetur tingëllon një dritë më shumë për ne, secili citat nga qindra autorë të huaj, merr një kuptim më të thellë duke u shndërruar në kult krenarie për përkatësinë kombëtare. Ai e ka kuptuar se, për ta përmbushur këtë mision, do dije e punë, prandaj u ka hyrë përgatitjeve profesionale nga disa fusha.

Në këtë drejtim, kur autori pohon sakrificat e tij për të qëmtuar në shumë drejtime të vërtetën për ne jashtë, ai këtë do ta bëjë sipas fjalëve të famshme të Gjon Kenedit: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë atdheu juaj për ju, pyesni se çfarë mund të bëni për atdheun tuaj”. Është përpjekja dhe thirrja e përbashkët për ta bërë atë që është më e drejtë për të mirën e përbashkët, ashtu siç do të thotë vetë fjala Res Publica (të mirat e përbashkëta). S’ka mision më fisnik se sa t’i shërbesh vendit tënd deri në fund. Është ai postulati i njohur që nga antika se njerëzit që e duan vendin e tyre, ata edhe mund ta ndryshojnë.Në këtë rrugë Gjon Keka është i pandalshëm.[Prof.Prend BUZHALA]

Të gjithë librat e botuar deri më sot të Autorit gjenden në Libraria Dukagjini – Prishtinë shih si më poshtë:

1. Kosova drejt pavarësisë dhe integrimit – 2006

2. Gabimet politike në Kosovë dhe Shqipëri – 2010

3. Shqiptarët në prizmin e diplomacisë ndërkombëtare – 2011

4. Ibrahim Rugova – Lidership i idealeve të mëdha – 2011

5. Vetëplotësimi i Kombit – 2012

6. Skënderbeu, ideator i bashkimit europian – 2012

7. Rruga e vjetër e kombit – 2013

8. Ukshin Hoti mendimtar i thellë Politik – 2013

9, Epoka e Konstantinit te Madh – 2014

10. Roli politik dhe ushtarak i shtetit te Arbërit-2015

11. Antropologjia Politike -2015

12. Anton Çetta dhe filozoia e pajtimit te gjaqeve, – 2015

13. Nënë Tereza ,Arbënorja e famshme e te gjitha kohërave – 2016

14. Edukimi Politik -2016

15. Kontributi i Perandorisë Austro-Hungareze për kishën katolike në Shqipëri – 2016

16. Demokracia dhe Tranzicioni – rasti i Kosovës dhe Shqipërisë – 2017

17. Der große Europäer Georg Kastriota – 2017

18. Arbëria përball renegatëve (Dje dhe Sot) – 2018

19. Patriotizmi i Gjergj Kastriotit-Porositë dhe Këshillat – 2018

20. Skënderbeu dhe Mirditorët – 2018

21. Autoriteti dhe Fama e Skënderbeut – 2019

22. Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) në literaturën lituane – 2019

23. Metapolitika- 2019

24. Pjetër Bogdani,zëri i gjeniut dhe patriotit – 2020

25. Nga Ilirët tek Arbërit – 2020

26. Karl Ritter von Ghega – 2021

27. Kombi shqiptar dhe fati i tij – 2022

28. Leonik Tomeu pishtar i dijes dhe rilindjes europiane – 2022

29. Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Bibliografi, vëll. I – 2023

30. Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Bibliografi, vëll. II – 2023

31. Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Bibliografi, vëll. III – 2024

Go to TOP