Gjobitet KUR Prishtina për ekspozimin e të dhënave personale

Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka shqiptuar gjobë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se ka marrë ankesa nga qytetarët se KRU “Prishtina” ka shpërndarë faturat mujore duke i ekspozuar të dhënat personale.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar ankesa nga qytetarët (subjektet e të dhënave), të cilët kanë raportuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë shpërndarjen e faturave mujore për shpenzimin e ujit duke i ekspozuar të dhënat personale të konsumatorëve ndaj qasjes së personave të paautorizuar”, theksohet në njoftim.

Pas shqyrtimit të ankesave, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konstatuar se KRU “Prishtina” ka dështuar të ndërmarrë masat e duhura të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje  të gjithë kontrolluesve (publik dhe privat), që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura për mos-respektim të dispozitave të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP