Gjilani tregon për gjendjen e Bilallit, është nën kujdes të vazhdueshëm
Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror, ku është nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor, ka njoftuar klubi gjilanas.
Bilalli të martën është përplasur me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli, gjatë një aksioni në minutat e fundit të takimit. Si pasojë e goditjes, ndeshja është ndërprerë për më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, ndërsa lojtari e ka marrë ndihmën e parë në fushë dhe më pas është larguar me autoambulancë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
“Futbollisti ynë, Oltion Bilalli, pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë ndeshjes kundër FC Malisheva, pas një përplasjeje me portierin kundërshtar. Menjëherë pas incidentit dhe dhënies së ndihmës së nevojshme në fushë, ai u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për kujdes të avancuar. Bilalli ka pësuar gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, ai ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror, ku është nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor”, ka theksuar Gjilani. “Sport Club Gjilani falënderon të gjithë për mbështetjen dhe lutjet për shërimin e shpejtë të Oltion Bilallit. Ne do të vazhdojmë të informojmë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me gjendjen e tij shëndetësore”.
