Gjeorgjia nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve me fitore bindëse

Kombëtarja e Gjeorgjisë ka shënuar një fillim të fuqishëm në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke regjistruar një fitore të thellë 4:1 kundër Republikës Çeke.

Të dyja skuadrat morën pjesë në “Euro 2024”, por këtë herë ishte Gjeorgjia që triumfoi me rezultat bindës.

Përballja e vlefshme për Grupin B1 u zhvillua të shtunën mbrëma, ku Gjeorgjia dominoi lojën dhe siguroi tri pikët e plota. Seria e golave u hap nga ylli i ekipit, Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e 33-të. Gjeorgjia intensifikoi sulmet në pjesën e dytë dhe brenda një periudhe prej 13 minutash arriti të trefishojë epërsinë. Giorgi Cakvetadze e dyfishoi rezultatin në minutën e 53-të, ndërsa Georges Mikautadze e çoi rezultatin në 3:0 në minutën e 63-të. Vetëm tre minuta më vonë, Giorgi Kochorashvili realizoi golin e katërt, duke vulosur fitoren për Gjeorgjinë.

Ndërkaq, Republika Çeke arriti të shënojë golin e vetëm në këtë përballje në minutën e 80-të përmes Lukash Kalvach.

Pas kësaj fitoreje, Gjeorgjia do të luajë në udhëtim kundër Shqipërisë më 10 shtator, ndërsa Republika Çeke do të presë Ukrainën.

Go to TOP