Gërvalla takon homologun çek Lipavský, flasin për sigurinë në rajon
Në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský, me të cilin diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit në ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Ministrat Gërvalla dhe Lipavský biseduan edhe rreth situatës së sigurisë në rajon, proceseve integruese euro-atlantike të Kosovës dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta ndërshtetërore mes vendeve pro-evropiane në raport me sfidat me të cilat po përballet Evropa dhe bota.
“Republika e Kosovës dhe Çekia kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira diplomatike dhe miqësore si dy shtete të përkushtuara për siguri dhe stabilitet në rajon dhe Evropë”, thuhet në komunikatën e MPJD-së. /Kosova.info/