Gërvalla: Sundimi i ligjit matet edhe pas dyerve të mbyllura

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të agjendës së saj në Pejë, vizitoi Qendrën e Paraburgimit në Pejë, së bashku me zëvendësministrin Nimoni dhe drejtorin e SHKK-së, Ismail Dibrani.

Gjatë vizitës, ajo u njoftua nga drejtoresha e qendrës, Ardita Blakaj, për punën, organizimin dhe sfidat e përditshme të këtij institucioni. 

Sipas Gërvallës, Qendra e Paraburgimit në Pejë ruan standarde të larta profesionale, me politikë të qartë të tolerancës zero ndaj kontrabandës, trajnim të vazhdueshëm të stafit dhe bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera. Ajo theksoi se raportet dhe vlerësimet pozitive të monitorimeve vendore e ndërkombëtare janë dëshmi e punës së përgjegjshme që bëhet çdo ditë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen institucionet e ekzekutimit të sanksioneve penale, veçanërisht trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, kufizimet infrastrukturore dhe nevojën për forcim të kapaciteteve profesionale.

“Sundimi i ligjit matet edhe pas dyerve të mbyllura”, shkroi Gërvalla në Facebook. 

“Shteti i së drejtës fiton kuptim atëherë kur siguria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor ecin krah për krah e kur autoriteti i ligjit është më i fortë se çdo privilegj, presion apo interes”, theksoi ajo. /Kosova.info/

Go to TOP