Gërvalla në Uashington: Serbia është kthyer në kërcënim jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla mori pjesë në tryezën “Synime dhe shqetësime Rajonale”, të organizuar nga Instituti “Hudson” në Uashington.

Ajo tha se në këtë tryezë theksoi se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin.

“Në tryezën me titull “Synime dhe shqetësime Rajonale”, të organizuar nga Instituti “Hudson” në Uashington, fola për sfidat me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore”, shkroi Gërvalla në Facebook.

“Duke përshkruar zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, të ekonomisë së saj, por edhe të forcimit të të gjitha strukturave të sigurisë dhe forcave të saj të armatosura theksova përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vlerat demokratike dhe vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE”.

“Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve, theksova se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin, duke potencuar rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin por edhe për paqen në Evropë”.

Go to TOP