Gërvalla: Integrimi në NATO i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan

Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla në Montreal të Kanadasë ka takuar homologen e saj kanadeze Mélanie Joly me të cilën diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë e mbrojtjes.

Takimi mes dy kryediplomateve nga Kosova e Kanadaja u bë në margjinat e Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën.

Siç bëhet e ditur nga zyra për media e shefes së diplomacisë kosovare, Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Kanadasë për Kosovën dhe ndërtimin e partneritetit të fuqishëm ndërshtetëror.

 “Përgjatë takimit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit në kuadër të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet tutje aty.

Tutje thuhet se Gërvalla vlerësoi lart angazhimin e Kanadasë në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes së Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“ Gërvalla theksoi se integrimi i Kosovës në NATO është i një rëndësie të veçantë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, përfundon komunikata e MPJD-së. /Kosova.info/

Go to TOP