Gërvalla do të përfaqësojë Kosovën në Seancën e Këshillit të Sigurimit
Zëvendëskryeministrja dhe mnistrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, është nisur për Nju Jork, ku do të përfaqësojë Kosovën në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku po ashtu thuhet se gjatë kësaj seance, ministrja Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të mërkurën, më 30 tetor, duke filluar nga ora 16:00 sipas orës lokale të Kosovës.