Gegërishtja dhe toskërishtja – një unitet koloritesh

Shkruan: Pal ShTUFI

Gjuha shqipe përbëhet nga dy dialekte kryesore: gegërishtja dhe toskërishtja. Ndonëse ndarja e tyre gjeografike është e njohur, më pak flitet për faktin se të dyja bashkë përbëjnë një thesar të pashtershëm të pasurisë sonë gjuhësore. Ky thesar na mundëson komunikim të natyrshëm në mjedise zyrtare, shkollore e mediatike.

Njësimi i gjuhës shqipe në një standard të përbashkët është një arritje e madhe kombëtare, pavarësisht se ky njësim ndodhi nën një regjim diktatorial si ai i Enver Hoxhës. Megjithatë, njësimi mbetet një datë historike që shënon një etapë qytetërimi, por jo një përfundim të zhvillimit të gjuhës. Gjuha shqipe është e gjallë dhe natyrshëm duhet t’i nënshtrohet modifikimeve dhe pasurimeve të vazhdueshme.

Për shumë prej nesh që jemi rritur me gegërishten, standardi aktual – i ndërtuar mbi bazën e toskërishtes – sjell një ndjesi mungese. Kjo nuk duhet parë vetëm si padrejtësi, por si një realitet që mund të rishikohet me qasje konstruktive dhe gjithëpërfshirëse, pa cenuar arritjet e deritanishme.

Mendoj se standardi duhet të ruajë bazën ekzistuese, por të jetë më i hapur ndaj paskajores dhe disa ndërtimeve sintaksore të gegërishtes. Gegërishtja ka fjalë dhe shprehje të fuqishme, të ngjyrosura me ndjeshmëri dhe thellësi, që e lidhin shqipen me rrënjët e saj të lashta.

Për shembull, pse të mos e përdorim fjalën “gegnisht” – siç është në trajtën burimore të saj. Njësoj vlen edhe për “toskërisht”. Le të mbesin që të dyja në përdorim, ashtu siç i kanë trajtat burimore.

Bukuria e toskërishtes

Toskërishtja ka bukurinë dhe ritmin e saj të veçantë. Është melodike, e pastër dhe e kristaltë – një themel i fortë për shqipen e shkruar dhe të njësuar. Toskërishten shpesh e kam quajtur “bukuria dhe sharmi i shqipes së njësuar”, por kjo bukuri nuk do të zbehej nga një përqafim më i thellë i gegërishtes. Sepse, si në çdo gjuhë të zhvilluar, përfshirja e varianteve pasuron dhe forcon unitetin.

Ka ardhur koha të mendojmë për shqipen, jo si një vijë ndarëse ndërmjet veriut dhe jugut, por si një urë që lidh të dy gjysmat shqiptare. Një shqipe që flet njësoj me respekt në Prishtinë, Shkodër e Gjirokastër. Një gjuhë që nuk përjashton askënd, por fton të gjithë të ndihen pjesë përbërëse të saj.

Nëse e shohim standardin gjuhësor si një proces të hapur, atëherë përfshirja e elementeve gegë nuk përbën kthim pas, por hap përpara. Sa më shpejt që standardi të pasurohet me kërkesat e arsyeshme të gjuhëtarëve, aq më shpejt do të zbehen kërkesat e pakuptimta për “dy gjuhë shqipe”.

Me kujdes, maturi dhe dashuri të shtuar për të dy dialektet, gjuha shqipe do të bëhet vërtet e unifikuar – jo vetëm në letër, por edhe e përjetuar thellë në zemrat e njerëzve.


Go to TOP