Gazsjellësi Nord Stream i nënshtrohet riparimeve vjetore, Evropa nis të shqetësohet
Nord Stream 1, gazsjellësi më i madh që transporton gazin rus në Gjermani, fillon sot mirëmbajtjen vjetore, çka do të thotë se puna do të ndërpritet për 10 ditë. Disa qeveri, tregje dhe kompani evropiane shqetësohen se pezullimi mund të zgjatet, shkruan Euronews.
Tubacioni Nord Stream 1 transporton 55 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia në Gjermani nën detin Baltik. Muajin e kaluar, Rusia uli flukset në 40% të kapacitetit total.
Evropa tani ka frikë se Rusia mund të zgjasë mirëmbajtjen e planifikuar për të kufizuar më tej furnizimin me gaz evropian, duke çuar në “kolaps” planet për mbushjen e magazinave për dimër.
Ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se vendi duhet të përballet me mundësinë që Rusia të pezullojë rrjedhat e gazit përmes Nord Stream 1 përtej periudhës së planifikuar të mirëmbajtjes.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë pretendimet se Rusia po përdorte naftën dhe gazin për të ushtruar presion politik, duke thënë se mbyllja e mirëmbajtjes ishte një ngjarje e rregullt dhe e planifikuar dhe se askush nuk po “shpikte” ndonjë riparim.
Që nga marsi, Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për disa vende evropiane që nuk përmbushën kërkesën e saj për pagesë në rubla.
Në vitet e mëparshme, periudha vjetore e mirëmbajtjes në Nord Stream 1 ka zgjatur rreth 10-12 ditë dhe ka përfunduar në kohë.
Comments