Gazetarja kazake në gjyq pse e ngriti zërin për Radion Evropa e Lirë

Gazetarja kazake Zhamila Maricheva doli para gjyqit të enjten, për shkak të një artikulli që e kishte shkruar në mbështetje të shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Radio Azattyq.

Maricheva u arrestua më 24 prill derisa kishte dalë për një vrapim, dhe më pas u akuza për përhapjen e “informatave të rrejshme”.

Akuzat kundër saj burojnë nga një artikull që ajo e kishte postuar në kanalin e vet në Telegram, ProTenge, në janar, kur ajo e kishte ngritur çështjen e telasheve me të cilat Radio Azattyq përballej për të siguruar akreditim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit.

Kjo kishte nxitur frikë se Qeveria po përpiqej t’i shtypte mediat e pavarura.

Maricheva e lartësoi Radion Azattyq për, siç tha ajo, profesionalizmin e saj, duke e theksuar rëndësinë e programeve të REL-it në Kazakistan.

Një gazetar tjetër kazak, Askhat Niyazov, e kishte shpërndarë artikullin e Marichevas asokohe dhe si pasojë ishte akuzuar për shpifje.

Një gjykatë e shpalli të pafajshëm Niyazovin vitin e kaluar dhe e mbylli rastin kundër tij, duke thënë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.

Maricheva e përsëriti pafajësinë e saj gjatë seancës gjyqësore të enjten dhe theksoi se policia e shkeli të drejtën e saj duke e arrestuar për ta marrë në pyetje derisa ajo po bënte një vrapim, në vend se ta thërriste zyrtarisht për intervistim në stacion policor.

Avokatja e Marichevas, Asel Toqaeva, i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë rastin kundër saj dhe tha se të drejtat kushtetuese të Marichevas u shkelën nga policia gjatë arrestimit dhe intervistimit të saj.

Në janar 2023, Ministria e Jashtme ua mohoi akreditimin 36 gazetarëve të Radios Azattyq. Disa prej korrespondentëve nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdojnë akreditimin prej fundit të vitit 2022.

Situata u përkeqësua kur një grup i ligjvënësve kazakë e miratuan një draft projektligj, i cili do t’ia mundësonte autoriteteve të ish-republikës sovjetike ta refuzojnë akreditimin për mediat e huaja dhe reporterët e tyre, për shkaqe të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

REL-i arriti marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Kazakistanit për akreditimin para rreth dy javëve.

Gjyqi ndaj Marichevas u shty për 6 maj.

Go to TOP