Gazeta serbe “Danas” publikon tekstin e propozimit franko-gjerman

Gazeta serbe “Danas” e ka publikuar planin franko-gjerman, të cilin, pretendon se e ka siguruar nëpërmes të kanaleve diplomatike.

Në këtë plan në nenin 4, shkruan se Serbia dhe Kosova nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Gjithashtu në këtë nen në mënyrë eksplicite pretendohet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Versioni integral i dokumentit të të ashtuquajturit propozim franko-gjerman, të cilin “Danas” e ka marrë dhe që tashmë ka “rrjedhur” në rrjetet sociale, është si më poshtë.

Teksti i propozimit evropian të marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, 20.1.2023.

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për të ruajtur paqen;

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë;

Duke kuptuar se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushte themelore për paqen;

Duke vepruar në bazë të fakteve historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunimin e palëve në dobi të popullit,

Janë pajtuar për sa vijon:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie të ndërsjella normale, të mira fqinjësore në bazë të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mos diskriminim.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një vrull të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët pajtohen që në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, komunikacionit dhe lidhjes, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e pagjetur dhe në fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve konkrete.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë. Kosova në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë e qeverive përkatëse.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Nga të dyja palët u konstatua përkushtimi i BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë të ndihmës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme, shkruan në tekstin e propozimit të cilin e ka publikuar gazeta serbe.

Go to TOP