Gashi në Panama, kërkon heqjen e vizave për kosovarët

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka nisur vizitën zyrtare në Panama. Atë e priti zëvendësministrja e ngarkuar për Punë të Jashtme e Panamasë, Carla Ramirez, nga e cila Gashi kërkoi që shteti i saj t’i heq vizat për Kosovën.

Zëvendësministrja Gashi e njoftoi palën panameze për situatën politike në Kosovë, si dhe për procesin integrues të Republikës së Kosovës në BE dhe fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së.

Ajo, tutje theksoi se është e rëndësishme që edhe Panamaja t’i heqë vizat për shtetasit e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se Panamaja ka liberalizim të vizave me vendet e Shengenit.

Të dyja delegacionet diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e kulturës, edukimit dhe akademive diplomatike dhe në këtë kontekst u propozua që të formohet një grup i punës nga të dyja vendet, për t’i shtyrë përpara çështjet e dakorduara, njofton MPJD.

Po ashtu, në takim thuhet se u rikonfirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite, zëvendësministrja Gashi do të zhvillojë takime të veçanta edhe me nënkryetaren e Parlamentit të Panamasë dhe grupit të miqësisë në parlament, me sekretarin ekzekutiv të Parlamentit të Amerikës Latine (Parlatino), Elías Castillo, me zëvendësministrin e Kulturës, Gabriel Gonzalez Paredes, zëvendësministrin e Edukimit të Panamasë, Ariel Rodríguez Gil.

Po ashtu, Gashi do të zhvillojë takime me Dhomën e Tregtisë dhe me Agjencinë për Promovim të Investimeve “ProPanama”.

Go to TOP