Gashi: Koha të kalojmë nga “Asnjë cent më shumë” në “Asnjë cent s’e paguajmë” – protesta duhet të bëhet rezistencë
Gazetari dhe analisti politik, Astrit Gashi, ka reaguar fuqishëm ndaj rritjes së çmimit të rrymës për 16% duke e cilësuar të papranueshme dhe të papërballueshme për qytetarët. Në një deklaratë publike, Gashi ka bërë thirrje që qytetarët dhe shoqëria civile të kalojnë nga slogani “Asnjë cent më shumë” në një qëndresë më të vendosur – “Asnjë cent s’e paguajmë”.
Sipas tij, protesta tashmë nuk mjafton, por duhet të shndërrohet në rezistencë qytetare të vazhdueshme, për të kundërshtuar vendimin që rëndon drejtpërdrejt mbi shpatullat e qytetarëve.
“16 përqindshi nuk kalon!”, theksoi Gashi duke paralajmëruar se vendosmëria për të refuzuar këtë rritje duhet të jetë unanime dhe e qartë. Ai kritikoi autoritetet përgjegjëse për mungesë transparence dhe për injorimin e krizës sociale që mund të shkaktojë një vendim i tillë.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur indinjata publike për çmimet e larta të energjisë po rritet, ndërsa thirrjet për protesta dhe mosbindje qytetare po intensifikohen në rrjete sociale nën hashtagun #asnjecentmeshume. /Kosova.info/
