Gashi falënderon votuesit: Tani përqendrimi ynë është ta ndihmojmë Përparimin të fitojë në raundin e dytë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Astrit Gashi, me numër 46, ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë qytetarët që e mbështetën në zgjedhjet lokale.

Në një postim falënderues, Gashi tha se fushata ishte një periudhë e ngjeshur plot angazhim, takime me qytetarë dhe ide të mira. Ai u shpreh mirënjohës për çdo votë, përkrahje dhe fjalë të mirë që mori gjatë kësaj kohe.

“Edhe pse këtë herë nuk arrita të fitoj mjaftueshëm vota për t’ju përfaqësuar në Asamblenë Komunale, unë mbetem i përkushtuar ndaj qëllimit tonë të përbashkët. Tani përqendrimi ynë duhet të jetë tek puna që na pret – ta ndihmojmë Përparimin të fitojë në raundin e dytë dhe ta vazhdojmë punën e mirë për Prishtinën,” ka theksuar Gashi.

Ai përmbylli me një falënderim të veçantë për çdo qytetar që i besoi duke theksuar respektin e tij të sinqertë për përkushtimin dhe mbështetjen e treguar gjatë gjithë fushatës. /Kosova.info/


Go to TOP