Flet kryetari i Kamenicës për aksionin në Karaçevë: Tri kazino janë rrënuar

Kryetari i Kamenicës Kadri Rrahimaj ka folur për Gazetën Express për aksionin e policisë që po zhvillohet në Karaçevë. Kryetari konfirmoi se deri më tani në këtë zonë janë rrënuar tri kazino të ndërtuara në mënyrë ilegale.

Kryetari i Kamenicës Rrahimaj tha se aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe aty ka asistuar edhe komuna.

“Aksioni ka qenë i koordinuar mes organeve të drejtësisë kemi qenë të njoftuar për këtë aksion. Kazinot që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar. Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara. Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar si dhe komuna ka asistuar në rastin e rrënimit”, tha Rrahimaj për Gazetën Express.

Akoma nuk dihet nëse nga ky aksion ka ndonjë të arrestuar, lidhur me këtë çështje kryetari kërkoi të pyetet policia.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit është duke zhvilluar një aksion në Karaçevë, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Me datë 15/12/2021, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës. Informacione më të plota do të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani.

Aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.

Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë.

Go to TOP