Fitoi ‘minihamburgeri’ antirugovist në LDK!
Shkruan: Florim ZEQA
Pasi e shpalla kandidaturën time për kryetar të LDK-së, një mik i imi më tha: “A po mendon që klanorët e lëshojnë aq lehtë lopën, të cilën e kanë mjelë prej vitesh e dekadash? Jo o Florim këta janë të lidhur njëri me tjetrin në tenderë, korrupsion dhe gjithçka tjetër antiligjore në këtë vend”!
Thika me dy tehe përgjysmon LDK-në
“Dorëheqja” djallëzore e Lumir Abdixhikut ishte thikë me dy tehe për LDK-në, e cila e ndau në dysh mbetjen 13 përqindësh! Ky ishte skenar i përgatitur paraprakisht nga Isa Mustafa, i realizuar me sukses në Kuvendin e 31 janarit!
Ashtu siç ishte projektuar, dolën dy klane nga ‘Kuvendi i Punës’ me diferencë prej 28 votave!
Numri i vogël prej 65 votave që nuk e mbështetën asnjërin Klan, llogaritet të jenë mbështetës faktik të filozofisë politike rugoviane! Numër ky i papërfillshëm në përballje me 290 delet e shitura në Kuvend!
Kam pritur që dikush nga numri i vogël i Rugovistëve do ta ngritë zërin në mbështetje të kandidaturës time, e cila ishte zyrtare dhe publike, njëjtë sikur ajo e Avdullah Hotit!
Megjithatë le të mbetet në ndërgjegjen e tyre që i ndihmova ndër vite dhe dekada për t’u bërë deputet dhe asamblist gjithandej Kosovës!
Pavarësisht numrit të ngushtë të votave, 164 kundrejt 136, kryetari i “dorëhequr” pa fije turpi për dëmin e shkaktuar në LDK, doli para delegatëve sikur të ishte fitues absolut! Megjithatë, disponimin ia prishën disa kolegë të deridjeshëm (pjesë e klanit tjetër) të cilët nuk ju bashkëngjiten “Korit” në duartrokitje për ‘kryemadhin’ e partisë!
Në këtë moment kthehen fuqishëm fjalët e mikut të cekura në fillim të shkrimit, nuk e lëshojnë këta lehtë LDK-në prej së cilës kanë përfituar dhe janë bërë milionerë!
Nëse i përkthejmë në vota numrat e dy klaneve të dala nga ‘Kuvendi i Punës’, atëherë rezultati prezumon të jetë fatal për LDK-në zgjedhjet e ardhshme! Do të ketë përgjysmim dhe më shumë se përgjysmim të votave me rugovistët e papërfillshëm në mes të një minihamburgeri antirugovist në LDK!
Sikur Abdixhiku ta kishte një fije të ndërgjegjes njerëzore, pas votimit të fshehtë, do duhej të largohej menjëherë nga drejtim i partisë, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të rregullta dhe ndryshimit përmbatësor në LDK. Nga themelimi e deri më sot, LDK nuk ka pasur kryetar më të pa denjë dhe të pa vlerë!
P.S: Në shkrimin e radhës do t’i paraqes pikëpamjet e mia personale për ringritjen e LDK-së dhe hapat që duhet të ndjekë elektorati për ç’kapjen e partisë nga uzurpatorët.
